Qeveria e Kosovës ka nisur procedura për testimin e fuqisë mbajtëse të urës së Ibrit, si hap para hapjes së saj për qarkullim të automjeteve, por se ka hasur me kundërshtim të bashkësisë ndërkombëtare.
Ndonëse ndër vite u arritën marrëveshje e dakordime, u investua në infrastrukturën e saj si dhe u hap për qarkullim të këmbësorëve, ura e Ibrit vazhdon të jetë e bllokuar për automjete
BE-ja ka kërkuar edhe një hap shtesë, një diskutim të ri në dialogun Kosovë-Serbi.
Por, sipas dakordimit mes Kosovës dhe Serbisë që vetë Bashkimi Evropian e ka të publikuar në uebfaqen zyrtare, thuhet se pas diskutimeve të gjera të 2 gushtit të vitit 2015, ministrja për Dialog Edita Tahiri dhe kryenegociatori Marko Gjuriq ranë dakord për detajet e fundit të mbetura për zbatimin e marrëveshjes së dialogut
Me titull: Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian – Zbatimi i Marrëveshjes për Urën e Mitrovicës, në dokument thuhet se “tani që është në horizont zbatimi i plotë, Ura e Mitrovicës do të bëhet simboli i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet serbëve të Kosovës, shqiptarëve të Kosovës dhe komuniteteve tjera“.
Tutje theksohet se rivitalizimi i urës, si dhe i rrugës Mbreti Petar, do të kontribuojë shumë në lehtësimin e kontakteve ndërmjet të gjithë njerëzve të Mitrovicës Veriore dhe Jugore dhe kështu do të kontribuojë në shkëmbime dhe mirëkuptim.
“U ra dakord që do të lëshohet leja e mbetur e ndërtimit dhe se rivitalizimi i urës së Mitrovicës dhe rrethinës së saj do të fillojë më 14 gusht 2016. Ura e Mitrovicës do të hapet për këmbësorët dhe automjetet në të dy drejtimet në përputhje me rekomandimet e vlerësimi teknik dhe dizajni arkitektonik ranë dakord të dyja palët në qershor 2015″
“Punimet e ndërtimit të urës do të kryhen duke hyrë në kantier përmes rrugës hyrëse jugore. Ura do të hapet për të gjithë trafikun më 20 janar 2017“.
Po ashtu në atë kohë ishte planfikuar që një grup pune do të monitorojë dhe shqyrtojë rregullisht së bashku me të dy kryetarët e komunave kushtet mbizotëruese politike dhe të sigurisë në komuna gjatë dhe pas procesit të rivitalizimit.
“Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i në përputhje me mandatet e tyre përkatëse do të sigurojnë një mjedis të sigurt dhe të sigurt. Ata do të konsultohen për masat e duhura të sigurisë, duke përfshirë edhe dy kryebashkiakët”, thuhet në dokument.
Por, pas gjithë kësaj, gjërat në veri kishin ndryshuar dhe rritja e dhunës dhe pasigurisë, kishte bërë që Ura e Ibrit të mos hapej
Më 2018, punimet e parapara nga BE-ja në urën e Ibrit kishin përfunduar dhe kostoja e projektit llogaritej të jetë rreth 1.5 milion euro.
“Punimet në urën e Mitrovicës kanë përfunduar dhe ura duhet të hapet për qarkullimin e automjeteve pa vonesa apo pengesa të mëtejshme”, thuhej në raportin e BE-së në vitin2019.
Ura, megjithatë, nuk u hap asnjëherë për qarkullim.
Në raportin e BE-së të vitit 2023, për çështjen e urës u shtua fjalia: “Për çfarëdo vendimi për hapjen e urës duhet të ketë pajtim dhe koordinim në dialog”.
Pikërisht në fillim të vitit 2023, Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut kishte marrë një vendim për hapjen e urës.
Ata kishin thënë se vendimin e bazojnë në Marrëveshjen e Brukselit që kishte paraparë hapjen e urës në vitet 2015-2016
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke folur ditë më parë për rihapjen e Urës së Ibrit për qarkullim, ka thënë se çdo hap dhe veprim duhet të bëhet në kuadër të dialogut të Brukselit.
E, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier, në një prononcim për media pas takimit të javës së kaluar me Kurti pati deklaruar se shtetet e QUINT-it në konsultim me NATO-n, nuk e përkrahin asnjë ndërrim të statusit të urës së Ibrit.
“Shtetet e QUINT-it, në konsultim me NATO-n, nuk e përkrahim asnjë ndërrim të statusit të urës se Ibrit”, pati thënë Hovenier.
Ndërsa, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se çështja e urës së Ibrit nuk duhet assesi të jetë temë e dialogut me Serbinë, duke thënë se kjo do të ishte shkelje e sovranitetit, integritetit territorial dhe kushtetutshmërisë së Kosovës
Osmani i reagoi Bashkimit Evropian, që të enjten javës së kaluar (1 gusht) u shpreh se çështja e hapjes së urës duhet të trajtohet në dialogun në Bruksel me Kosovës dhe Serbisë.
Ajo ka thënë se presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, nuk ka çka pyetet “se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës”.
Ndërkaq, përkundër reagimeve, Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar testimin dhe më pas mundësinë e hapjes së Urës së Ibrit.