Në podcastin “Flasim” kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ndau mendimet e tij për raportet ndërkombëtare, veçanërisht duke dhënë një mesazh për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Rama theksoi rëndësinë e miqësive strategjike për vendet e vogla si Shqipëria dhe Kosova, duke shtuar se mbajtja e këtyre marrëdhënieve është jetike për sigurinë dhe stabilitetin.
Ai u shpreh se “jemi shumë të vegjël për të fjetur të qetë, nëse nuk kemi miq të mëdhenj”, duke nënkuptuar që përkrahja ndërkombëtare është thelbësore për mbrojtjen e interesave kombëtare.
Rama ka thënë se për vendet e vogla si Shqipëria, Kosova e të tjera, është paraskusht pasja e miqve të mëdhenj.
“Nuk e harroj kur më tha, që kemi bekimin nga Zoti që të jemi një vend i pasur, me pasuri nëntokësore. Kemi pasur edhe aftësinë që të rritemi nga pikëpamja e edukimit. Dhe sot jemi një vend i begatuar. Por mos harro që ne jemi shumë të vegjël për të fjetur të qetë nëse nuk kemi miq të mëdhenj. Sepse ditët kur dikush më i madh mund të vijë të na trokas tek dera, mund ta mbrojmë shpinë vetëm kur të kemi një mik më të madh sesa ai. Kjo është e padiskutueshme për të gjithë. Mbajtja e miqve në kushtet e vendet tona, flas për Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut e Malin e Zi, vende që s’kanë pasuri të mëdha që i bëjnë interesant, është një parakusht për të cilin çdo kush ka në dorë marrëdhëniet ndërkombëtare, atë raportin e shpisë me atë çfarë ka jashtë shpie”, ka thënë Rama.
Gjithashtu, Rama kritikoi mënyrën sesi opozita në Shqipëri sillet në parlament, duke argumentuar se ky është një shembull i keq për Kosovën dhe se gjuha e përdorur nga politikanët, si akuzat për “kriminelë” dhe “hajdutë”, ka degraduar debatin politik. Ai theksoi se ky stil komunikimi ka ndikuar edhe në mënyrën sesi politika zhvillohet në Kosovë, duke sugjeruar se kjo qasje vjen nga forcat politike që nuk pranojnë ndonjë rrugë të mesme, por vetëm ekstremin e polarizimit politik.