RRON PËR JETË TOMË GJOKAJ
Ku e puthin malet qiellin,
ku folenë e kanë shqiponjat
hern’ e parë e puthi dielli,
Trimin tonë, Tomë Gjokaj!
I këndoi Nëna tek djepi,
këngë trimash legjendarë
dhe në rrugë të kurbetit
ato këngë e mbajtën gjallë!
Rënjëthellë familja jote,
tek ky truall, te ky dhé
lidhur mbete kësaj toke,
Bir i saj, si një Ante!
Kjo Malësia ty të rriti,
të dha dritë e dituri,
zemërhapur ty të priti,
në çdo prag me dashuri.
Sa shumë breza ti mësove,
si ta ruajnë gjuhën shqipe!
Dituri ndër ta ti mbolle,
si kopshtar në fidanishte.
O, i bukri trim i ditur!
Rruga s’ish për ty e lehtë!
Një armik ujk i uritur
nuk t’u nda ty për jetë.
Kush si ti e mposhti frikën?
Për liri gjithmonë në ballë!
Dhe kur shkove Amerikës
bëre miq, o trim i rrallë!
Ngrohte zemrën çdo shqiptari,
fjala jote fjalë e zjarrtë,
ti dy krahët e shqiponjës
luftove të ishin bashkë!
Kur përgjakej kjo Kosovë,
dhe gjithçka që kishe ti
krah me President Rugovën
që ta shihje në liri!
Porse hasmi ujk i vjetër
etur ësht’ për gjak shqiptari.
Ty të preu në mes jetën
me plumb një ditë janari!
Thellë rënkoi Mëmëtoka,
po nga zemra nxjerr një fjalë:
“Rron për jetë trim Tomë Gjokaj
Shqiptarisë i prin në ballë!”
Zhuliana G. Jorganxhi 6 shtator 2024
(E frymëzuar nga jeta dhe veprimtaria e atdhetarit, të ndriturit TOMË GJOKAJ, shkrova këtë elegji në kujtim të tij.)
–DY FJALË PËR ATDHETARIN E MADH TOMË GJOKAJ
Të flasësh për atdhetarin, patriotin e madh, të ndriturin TOMË GJOKAJ nuk do të mjaftonte asnjë shkrim sado i detajuar të ishte ai, sepse gjithë jeta dhe veprimtaria e titj është një sagë e gjatë, edhe pse ia preu jetën në mes plumbi i hasmit shekullor! I ndrituri Tomë, i dituri, i kulturuari, zemërzjarrti e shpirtmadhi, që ishte gati gjithçka t’ia falte Atdheut të të parëve të tij, gjithë jetën e Tij punoi e luftoi për shqiptari! I ushqyer që në djep me këtë dashuri ai i pajisur me arsim e kulturë, iu vu me mish e me shpirt çështjes shqiptare. Mori rrugën e mërgimit për në SHBA dhe aty u përpoq me gjithë forcat e tij fizike, mendore dhe shpirtërore që çështja shqiptare të dëgjohej deri në instancat më të larta të shtetit amerikan. Ishte Ai, që dha gjithçka që kishte për Kosovën, që e kishte rritur si birin e saj dhe i kishte hapur rrugën e diturisë. Ai me punën dhe përpjekjet e tij titanike, arriti të vlerësohet si asnjë shqiptar tjetër nga Departamenti i Shtetit Amerikan dhe vet ish Presidenti Bush. Por, kjo luftë e përpjekje e tij për çështjen e gjithë trojeve, ku flitet shqip, u vriste sytë armiqve të kombit shqiptar, ndaj dhe plumbi i hasmit i preu në mes jetën një natë janari 1991. Dhembjen për humbjen e këtij gjigandi të shqiptarisë e ndieu kush ndien se ç’është shqiptaria. Ndaj për humbjen e tij, vet Presidenti i SHBA Bush shprehu dhembjen dhe konsideratën më të lartë për këtë ATDHETAR të jashtëzakonshëm! Dhembje pa fund që nuk ikën kurrë ndieu gjithë familja e tij, por që duhet të jetë krenare për birin, vëllanë dhe bashkëshortin e ndritur Tomë Gjokaj! Emri i tij ndritë dhe është shkruar me gërma të arta në flamurin e shqiptarisë! Të përjetshme do mbeten jeta dhe vepra e këtij gjigandi të shqiptarisë dhe kujtimi i tij do ndrisë përherë udhën e kujtdo që jeton dhe lufton për këtë ideal të lartë.
Zhuliana Jorganxhi, një nga ikonat e shkollës shqiptare të poezisë dhe teksteve të këngëve, është autore e qindra krijimeve që kanë ndriçuar festivale dhe skena muzikore shqiptare. Me një karrierë mbi pesë dekada, ajo ka sjellë vargje të fuqishme dhe të ndjeshme, duke fituar çmime të shumta, përfshirë “Diskun e Artë”, “Çmimin e Karrierës” dhe titullin “Mjeshtre e Madhe”. Poezitë e saj janë botuar ndërkombëtarisht në vende si Rumani, Japoni, etj. dhe ajo vazhdon të frymëzojë breza të rinj me mesazhet e ndjera të dashurisë dhe dhembjes njerëzore.