Në Gjykatën e Apelit, të martën u shqyrtua ankesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e cila ka kërkuar të anulohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë në rastin ndaj ish-drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Lavdim Krasniqi, si dhe Flora Dodës e Marigonë Berishës. Ankesë ka parashtruar edhe mbrojtësi i Berishës, avokati Fatlum Podvorica, i cili kërkoi aktgjykim lirues për të mbrojturën e tij. Kurse, mbrojtja e të akuzuarve tjerë kërkoi të refuzohet ankesa e Prokurorisë
Gjykata Themelore në Prishtinë më 16 shkurt 2024, ish-drejtorin e Sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi dhe Flora Dodën e liroi nga akuza për korrupsion, ndërsa Marigonë Berisha u dënua me 3 mijë euro për falsifikim të dokumentit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka parashtruar ankesë ndaj aktgjykimit të Themelores, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe vendimit për sanksionin penal.
Në seancën e së martës, prezent nuk ishte askush nga Prokuroria. Por, gjykatësi referues Hashim Ҫollaku përmes ankesës së ushtruar, Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata e Apelit që të bëjë anulimin e aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Ndërsa, theksoi se përgjigje në ankesën e Prokurorisë ka ushtruar mbrojtja e të akuzuarve, duke kërkuar që të refuzohet si e pabazuar ankesa e Prokurorisë dhe aktgjykimi i Themelores të vërtetohet.
Kurse, tha se Prokuroria e Apelit përmes një parashtrese ka propozuar që të aprovohet si e bazuar ankesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe aktgjykimi i shkallës së parë të anulohet e çështja t’i kthehet në rigjykim dhe rivendosje gjykatës së shkallës së parë.
Mbrojtësi i Krasniqit, avokati Ramë Gashi ka thënë se kjo aktakuzë është paraqitur me deformime të papërmirësueshme juridike. Andaj, tha se edhe akuza ka qenë e paqëndrueshme që nga fillimi, duke shtuar se është hera e dytë që gjykata merr vendim meritor për këtë çështje.
Po ashtu, ai tha se nuk është mirë për drejtësi që sot nuk prezanton askush nga Prokuroria Themelore, ashtu që do të bëhej një elaborim më i saktë i ankesës së kësaj të fundit. Tha se ankesa e Prokuorisë është përshkrim i aktakuzës dhe asgjë më shumë
Po ashtu, ankesë ka ushtruar edhe mbrojtësi i të akuzuarës Berisha, avokati Fatlum Podvorica, ku ka theksuar se gjykata e shkallës së parë ka bërë shkelje të dispozitave esenciale të procedurës penale dhe vertetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.
Avokati Fatlum Podvorica ka thënë se mbeten në tërësi pranë ankesës së parashtruar dhe i propozojnë gjykatës që në pikën II të dispozitivit të aktakuzës, me të cilën ëshë shpallur fajtore e akuzuara ta ndryshojë, ashtu që ta lirojë këtë të fundit. Tha se kjo aktakuzë ëshë ngritur bazuar në prova të papranueshme.
Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarës Flora Doda, avokati Arlind Jupolli ka thënë se qëndrojnë në të tërësi pranë përgjigjes në ankesë, duke kërkuar nga Gjykata e Apelit që të refuzohet ankesa e Prokurorisë dhe e mbrojtura e tij të lirohet nga akuza.
Ndryshe, në këtë seancë nuk ka qenë prezent pala e dëmtuar- Bashkim Mulolli, për të cilën gjykatësi Ҫollaku tha se kanë tentuar që të kontakojnë dhe se një ditë më herët mbrojtësi i të dëmtuarit, avokati Naim Rudari i ka njoftuar se pala e dëmtuar do të jetë prezent në seancën e sotme
Ndërkaq, seanca e 10 tetorit 2024 kishte dështuar të mbahej për shkak të mungesës së palës së dëmtuar.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 9 mars 2023 kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Lavdim Krasniqi, duke e dënuar me 6 muaj burgim dhe 8 mijë euro gjobë.
Ndërsa, Ardian Krasniqi ishte dënuar me dënim unik prej 4 vite e 8 muaj burgim dhe 6 mijë euro gjobë. Kurse e akuzuara Marigonë Berisha, u dënua me 5 mijë euro gjobë. Ndërsa, e akuzuara Flora Doda, ishte liruar nga akuzat.
Kundër këtij aktgjykimi kishte bërë ankesë Prokuroria Themelore në Prishtinë për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, vendimit mbi dënimin, konfiskimin dhe kërkesave pasurore-juridike. Kurse, Prokuroria e Apelit kishte kërkuar që kjo ankesë e Prokurorisë Themelore të aprovohet si e bazuar, ndërkaq aktgjykimi i ankimuar të anulohet dhe ndaj të akuzuarve lënda të kthehet në rigjykim dhe rivendosje. Ndërkaq, ka kërkuar që të refuzohen si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve
Kurse, Gjykata e Apelit më 7 nëntor 2023 e ka kthyer në rigjykim këtë çështje penale.
Në rigjykim, Gjykata Themelore në Prishtinë më 16 shkurt 2024, ish-drejtorin e Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Lavdim Krasniqi dhe Flora Dodën e liroi nga akuza për korrupsion, ndërsa Marigonë Berisha u dënua me 3 mijë euro për falsifikim të dokumentit.
Për të akuzuarin Krasniqi ishte veçuar procedura penale.
Shqyrtimi fillestar në këtë rast është mbajtur më 6 tetor 2021, ku të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Ndërsa, Gjykata Themelore në Prishtinë më 25 nëntor 2021 kishte aprovuar pjesërisht kërkesat e mbrojtësve të akuzuarve Lavdim Krasniqi e Marigonë Berisha duke hudhur poshtë dy pika të aktakuzës ndaj Krasniqit me të cilat ngarkohej për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe Berishës për veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale” si dhe ka shpallur të papranueshme si provë një CD dhe transkriptimin e saj.
Kurse, ajo ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së Lavdim Krasniqit për hudhje të aktakuzës lidhur me veprën penale “Ushtrim ndikimi” dhe “Mosraportim ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.
Tutje, ka lënë në fuqi aktakuzën ndaj Ardian Krasniqit për veprat penale në vazhdimësi dhe bashkëkryerje “Ushtrim ndikimi”, veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” si dhe veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.
Për Marigonë Berishën, ka mbetur në fuqi pika e akuzës ku ngarkohet për “Falsifikim të dokumenteve”. Ndërsa, për Flora Dodën, vepra penale për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Mirëpo, Gjykata e Apelit më 4 shkurt 2022 ka ndryshuar vendimin e shkallës së parë, me ç’rast ka vendosur që Lavdim Krasniqi të gjykohet edhe për dy pikat e aktakuzës për korrupsion. Ndërsa, ka vërtetuar vendimin e shkallës së parë që CD të shpallet si provë e papranueshme.
Sipas aktakuzës së ngritur më 13 gusht 2021 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Lavdim Krasniqi në cilësinë e drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial (KPK) dhe Ardian Krasniqi në cilësinë e shoferit të tij personal, akuzohen se nga janari i vitit 2018 e deri në fund të vitit 2019, në bashkëkryerje, në vazhdimësi, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, kanë kërkuar dhe pranuar të holla dhe dhurata për vete dhe për tjetrin nga Bashkim Mulolli