Një incident i pazakontë ka ndodhur të enjten në stacionin policor të Lipjanit, ku një shtetas palestinez ka shkaktuar dëme materiale brenda objektit të Policisë, pasi humbi kontrollin gjatë intervistimit.
Burimet raportojnë se më 5 qershor, rreth orës 18:50, dy persona të huaj, azilantë – një palestinez dhe një jordanez – u ndaluan nga Policia për prishje të rendit dhe qetësisë publike. Gjatë intervistimit, palestinezi, i cili ishte nën ndikim të alkoolit, shfaqi sjellje agresive, duke dëmtuar derën dhe një karrige brenda zyrës.
Policia tentoi t’i ofrojë ndihmë mjekësore, por ai e refuzoi trajtimin. Po ashtu, u bë përpjekje për të gjetur një përkthyes të gjuhës arabe, por nuk u arrit të sigurohej në atë moment.
Prokuroria e ka iniciuar rastin si “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë, me urdhër që të sigurohet një përkthyes për intervistim ligjor. Hetimet për këtë rast po vazhdojnë.

