Partia e serbëve të Kosovës “Demokracia serbe” sot ka mbajtur një protestë në Prishtinë para objektit në të cilën Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) prezantoi raportin për drejtësi. Anëtarët e kësaj partie mbanin një pankartë me fotografi të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët i akuzojnë për “sjellje të paligjshme” dhe publikim të përmbajtjeve, sipas tyre “të papërshtatshme” në rrjetet sociale.
Kryetari i Demokracisë Serbe, Aleksandar Arsenijeviq, ka deklaruar në protestë se pankarta përmban “një pjesë të materialit dëshmues nga rrjetet sociale”.
“Duam t’i pyesim se cili prej këtyre policëve është përgjigjur ndonjëherë dhe deri ku ka shkuar. Besojmë se raportet e tyre (të EULEX-it) së fundmi janë udhëhequr nga fabrikimi i së vërtetës dhe se ata shërbejnë si partner koalicioni të Vetëvendosjes. Ne kemi ardhur sot që të tregojmë të gjitha këto prova në qendër të Prishtinës dhe të pyesim se sa raste janë zgjidhur nga prokuroria dhe gjykata kur është fjala për rrahjen e bashkëqytetarëve tanë”, ka pretenduar ai.
Aleksandar Arsenijeviq ka pretenduar se është krenar që protesta u zhvillua në Prishtinë.
“Ne jemi krenarë që morëm guximin për të ardhur dhe për ta realizuar këtë protestë këtu në kushte “shumë të rrezikshme për jetën tonë”. Presim sot përgjigjen e EULEX-it pikërisht në këtë prezantim të raportit”, ka thënë ai.
Kryetari i “Demokracisë Serbe” ka thënë se janë dhjetëra raste të raportuara nga serbët në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK).
“Sot, qëllimi ynë është t’i shtyjmë ata (EULEX) të bëjnë punën e tyre, të përmbushin mandatin e tyre. Është e pamundur që të gjitha këto të mos i kenë parë në rrjete sociale gjithë këto vite. Atëherë misioni i tyre nuk ka absolutisht asnjë kuptim”.
Protesta u shoqërua me fishkëllima dhe thirrje “propagandë”.
Arsenijeviq ka thënë se janë duke planifikuar më shumë aksione në të gjitha qytetet e Kosovës
“Kemi filluar në Prishtinë, ndoshta herën tjetër do të jetë Gjakova, Vushtrria apo Peja. Sepse gjithçka që ata po bëjnë do të marrin një përgjigje më të shpejtë dhe më kreative nga ne”, ka shtuar ai.
Pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe të KFOR-it ishin të pranishëm para hotelit “Swiss Diamond” në Prishtinë, ku përfaqësuesit e kësaj partie ekstremiste mbajtën protestë

