Nesër, Qeveria e Kosovës do të jetë nikoqire e një takimi të përbashkët me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut.
Sipas kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqit, para çdo mbledhjeje tjetër, Kosova duhet ta rikthejë traditën e mirë të takimeve me Shqipërinë e cila siç thotë ai, është ndërprerë nën qeverinë aktuale.
“Të hënën, Qeveria e Kosovës do të jetë nikoqire e një takimi të përbashkët me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, i cili është një hap i mirë për forcimin e bashkëpunimit rajonal. Megjithatë, para çfarëdo mbledhjeje tjetër, Kosova duhet ta rikthejë traditën e mirë të takimeve me Shqipërinë, një praktikë e rëndësishme për unitetin dhe bashkëpunimin ndërshqiptar, e cila është ndërprerë nën qeverinë aktuale të Albin Kurtit. Këto takime mbeten jetike për adresimin e sfidave të përbashkëta dhe forcimin e lidhjeve tona kulturore, ekonomike dhe politike”, shkruan Krasniqi në Facebook,
Megjithatë, kreu i PDK-së theksoi dy çështje që duhet të diskutohen në takimin me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, e të cilat sipas tij, nuk janë fare në agjendë.
“Së pari, përndjekja dhe arrestimi i veteranëve të UÇK-së në Maqedoninë e Veriut, siç ndodhi gjatë këtij viti, është i papranueshëm dhe cënon raportet tona ndërshtetërore. Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë me këmbëngulje që raste të tilla, të cilat po ndodhin tani me qeverinë e re në Maqedoni të Veriut, të mos përsëriten më. Sot, asnjë veteran i UÇK-së nuk është i sigurt të kaloj kufirin me Maqedoninë e Veriut, për shkak të rrezikut që ku shtet të zbatojë fletë-arrestet e Serbisë kundër luftëtarëve të lirisë. Së dyti, të drejtat themelore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, përfshirë përdorimin e gjuhës shqipe, duhet të mbrohen me vendosmëri. Qeveria e Kosovës, e posaçërisht politikanët shqiptarë që janë pjesë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, duhet të ngrisin zërin dhe të angazhohen që përdorimi i gjuhës shqipe të mos i cënohet askujt dhe askund. Çdo përpjekje për t’i cenuar këto të drejta duhet të ndalet menjëherë. Derisa këto çështje urgjente të adresohen siç duhet, pikat e tjera të agjendës rrezikojnë të mbeten nën hijen e pakënaqësive të pazgjidhura të popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Bashkëpunimi i vërtetë kërkon një qasje të ndershme dhe proaktive ndaj sfidave të tilla, duke siguruar që dinjiteti dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve të respektohen dhe të mbrohen pa dallim. Përndryshe, mbledhje të përbashkëta për shou politik e pa përmbajtje nuk i duhen askujt”, ka shkruar Krasniqi,