Shkrimtari i talentuar Pajtim Statovci është nderuar me çmimin prestigjioz “Finlandia” në Finlandë për romanin e tij të katërt, “Lopa pjell natën”.
Lajmin e ka bërë të ditur ambasada e Kosovës në Stokholm, e cila edhe e ka uruar shkrimtarin Statovci.
“Ky çmim nderon jo vetëm talentin e tij të jashtëzakonshëm, por edhe trashëgiminë dhe traditat shqiptare që pasqyrohen në veprat e tij. Me një stil të bukur por realist, Statovci ndërthur përvojat e luftës, jetën e refugjatëve dhe historitë tragjike të individëve, duke krijuar një zë të veçantë në letërsinë finlandeze dhe atë ndërkombëtare”, ka thënë Ambasada.
Në njoftim thuhet po ashtu se Pajtim Statovci, i lindur në Kosovë dhe rritur në Finlandë, ka arritur sukses të jashtëzakonshëm me romanet e tij, të përkthyera në 17 gjuhë dhe të vlerësuara me çmime të shumta.
Ambasada e Kosovës në Stokholm tha se veprat e Statovcit kanë ngjallur interes edhe në botën e teatrit, ku romanet e tij janë dramatizuar dhe vënë në skenë në teatro të njohur finlandezë.
“Pajtimi është një krenari kombëtare dhe një frymëzim për të gjithë ne! I urojmë suksese të mëtejshme dhe presim me padurim veprat e tij të ardhshme”, u tha në njoftimin e Ambasadës.