Sokol Bashota është rikthyer sërish në sallën e gjyqit në Hagë për të dëshmuar në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Matt Halling dëshmitari ka thënë se nuk e din nëse Kadri Veseli ka pasur ndonjë zëvendës në pozitën e tij në Shtabin e Përgjithshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Nuk e di nëse ka pas ndonjë zëvendës Kadri Veseli. Ose ka qenë dikush që ka mujt me e caktu, nuk e di. Saktë nuk e di dhe nuk mu kujtohet. Përderisa nuk ka një emër nuk po mundem me than kurrgjë”, ka thënë dëshmitari.
Ai e ka thënë këtë pasi iu prezantua një dokument që pretendohet se është shkruar nga vetë ai dhe ishte nga një mbledhje e dhjetorit të 1998-ës me Shtabin e Përgjithshëm.
Në të njëjtin dokument, prokurori ka thënë se thuhet në një vend “Luli” dhe mbi këtë emër ishte një numër telefoni.
“Ky nuk është dokument për mua. As në dukje nuk është dokument. Në një dokument nuk lejohen të bëhen kësi shkrime, numri telefoni, vite pas nënshkrimi. Nuk mendoj që ky është dokument zyrtar i UÇK-së dhe përndryshe do të ishte gabim. Nuk e di arsyen se pse e kam bërë por me siguri e kam bërë me e pasqyru diku në ndonjë libër apo diku. Kjo më shumë me ngjason që është bërë pas luftës së gjatë luftës. Nuk po muj e di”, ka thënë dëshmitari.
Nënshkrimi i tij në atë dokument sipas dëshmitarit është në gjashtë vende.
Dëshmitari gjithashtu është pyetur se a kishte marrë pjesë në ndonjë mbledhje të Shtabit të Përgjithshëm kur është folur për dezertimin e Blerim Kuçit.
“Është përfol që ai është largu nga Kosova pa i raportu askujt, pa i dhënë një raport dikuj që po ik nga Kosovës. Por që ky dokument është shkru në atë kohë, prap nuk po muj me e konstatu. Ose është marrë nga ndonjë dokument tjetër dh është bë ma vonë por thjeshtë nuk po mundem me e mbajt mend”, ka thënë ai.
Ndërsa, për Sylejman Selimin ka thënë se e kishte takuar gjatë luftës por që nuk kishin diskutuar ndonjë çështje të rëndësisë se veçantë.
“Sylejman Selimin e kam taku vetëm për çështje diture dhe për ndonjë rendësi të veçantë nuk e besoj, por jemi taku.
Vlen të theksohet se Sokol Bashota përfaqësohet nga avokati Artan Qerkini dhe dokumentet që i prezantuan dëshmitarit deri më tani u pranuan në prova materiale.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020