Aktakuza e re ndaj Thaçit trondit opinionin: Kërkohet zhbërja e Gjykatës Speciale

by Merita

Njoftimi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar se ka ngritur një aktakuzë të re ndaj Hashim Thaçit, ka nxitur reagime të ashpra në vend. Akuza për pengim të drejtësisë ndaj ish-presidentit të Kosovës po shihet si përndjekje politike e radhës.

Zyrtarët më të lartë të PDK-së, përfaqësuesit të OVL-UÇK-së, avokatë, dhe ish-komandantë të UÇK-së kanë kritikuar veprimin e Gjykatës Speciale.

banner

Ata kanë kërkuar drejtësi dhe transparencë për ish-krerët e UÇK-së, duke vlerësuar se veprimet e Speciales në raport më ta nuk është demokratike.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka shprehur shqetësimet e tij me aktakuzën e re.

“Njoftimi i fundit nga Zyra e Prokurorit Special, se Presidentit Hashim Thaçi i është shtuar edhe një aktakuzë për pengim të drejtësisë, ndërsa ai tashmë ka katër vite që ndodhet në paraburgim, ngre shqetësime lidhur me qasjen dhe fokusin e këtyre procedurave gjyqësore. Këto shqetësime thellohen më tej nga arrestimi i tri personaliteteve të tjera, si dhe nga fletëthirrja për paraqitje para Dhomave të Specializuara për z. Hajredin Kuçi.”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Ai ka shtruar edhe një pyetje për këtë rast.

“Ne mbështesim fuqishëm parimet e drejtësisë dhe llogaridhënies, por një pyetje e thjeshtë dhe kritike ngrihet sonte: A po reflekton ky proces drejtësie paanshmërinë dhe profesionalizmin që Kosova, qytetarët e saj dhe çlirimtarët tanë në Hagë e meritojnë? Të gjithë e dijmë se lufta çlirimtare e popullit tonë ishte e drejtë, fisnike dhe e rrënjosur në të drejtën universale për liri dhe dinjitet. Çdo përpjekje për t’i dhënë tjetër kahje kësaj të vërtete, rrezikon të minojë jo vetëm legjitimitetin e drejtësisë, por edhe të cenojë trashëgiminë e një lufte të shenjtë për liri”, ka shkruar ai.

Më i ashpër ka qenë ish-komandanti i UÇK-së, Daut Haradinaj.

Ai ka kërkua zhbërjen e kësaj gjykate.

“Gjykata Speciale u kriju ne Parlament të Kosovës dhe Parlamenti i Kosovës është organi më i lartë që duhet t’a zhbëjë.Ta bashkojmë besimin tuaj në zgjedhjet e ardhshme, NE do t’a zhbëjmë.U bo boll!”, ka shkruar ai në prolfin e tij në “Facebook”.

Edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK, Faton Klinaku, ka vlerësuar se aktakuza e re ndaj Thaçit është absurde.

“Të ngritet aktakuzë ndaj njeriut për pengim të drejtësisë kur është i paraburgosur, është absurde. Kjo ndodh vetëm te Gjykata Speciale banale.”, ka shkruar Klinaku.

Ndërsa, avokati Ardian Bajrktari ka treguar pse kjo gjykatë ka ndërmarr një veprim të tillë.

“Çështje e nisur për transplant organesh, në kohë kur njerëzit kanë vdekur nga mungesa e trajtimit elementar mjekësor. Si një “rast i madh” si ky pa prova kredibile materiale e i bazuar vetëm në dëshmi të lëkundshme e të fabrikuara, është e natyrshme që Prokuroria speciale po e vëren dështimin. E si më mirë me mbulu këtë disfatë se sa me aktakuza për pengim të drejtësisë kinse dështimi po ndodh për shkak të ndikimit në dëshmitarë e jo për shkak të punës totalisht joprofesionale të Prokurorisë. Turp!”, ka shkruar ai.

Çka thuhet në aktakuzë?

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ngritur akuzë të ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, nën pretendimin se ka penguar drejtësinë.

Në një komunikatë për media, pas aksionit të së enjtes, ZPS ka bërë me dije se në këtë rast, ka arrestuar Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun.

Po ashtu, në njoftim thuhet se është lëshuar fletëthirrje për paraqitje për Hajredin Kuçin, ish-ministër i Drejtësisë.

“ZPS-ja ngre akuza ndaj Hashim THAÇIT për vepra penale të pengimit të drejtësisë; arreston Bashkim SMAKAJN, Isni KILAJN dhe Fadil FAZLIUN në Kosovë; dhe lëshon fletëthirrje për paraqitje për Hajredin KUÇIN

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka ngritur akuza ndaj Hashim THAÇIT për vepra penale të pengimit të drejtësisë, sipas një Aktpadie të konfirmuar.

Z. Thaçi ndodhej në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës kur iu dorëzua një fletë-arrestim dhe ndaj tij janë ngritur tre akuza për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, tre akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Ai do të paraqitet para një Gjykatësi të Procedurës Paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës lidhur me akuzat për vepra penale shtesë të ngritura kundër tij.” – thuhet në njoftim, transmeton Nacionale.

Mes tjerash, ZPS ka njoftuar se Smakaj, Kilaj dhe Fazliu janë transferuar në Objektin e Paraburgimit në Hagë dhe pritet të paraqiten para Gjykatës, derisa Hajredin Kuçit i është lëshuar fletëthirrje, kurse ndaj tij janë ngritur dy akuza për “mosbindje ndaj gjykatës”.

“ZPS-ja ka arrestuar gjithashtu Bashkim SMAKAJN, Isni KILAJN dhe Fadil FAZLIUN në Kosovë sipas një fletë-arrestimi dhe urdhri transferimi të lëshuar nga një Gjykatës i Procedurës Paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës.

Zotërinjtë Smakaj, Kilaj dhe Fazliu janë transferuar në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe do të paraqiten edhe ata para gjykatës pa vonesa të papërligjura.

Hajredin KUÇIT i është lëshuar fletëthirrje për paraqitje para Dhomave të Specializuara e cila ka ngritur kundër tij dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.” – thuhet në njoftim.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy