Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Xhavit Haliti, thotë se PDK-ja është e gatshme për zgjedhjet e 9 shkurtit dhe sipas tij do të korrë fitore.
Haliti thotë se PDK-ja ka bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e fushatës, madje sipas tij, kjo parti është duke prezantuar kandidaturën më të mirë për kryeministër.
“Ne jemi në konsolidim të partisë të degëve nëndegëve me qëllim që të jemi të përgatitur për fillimin e fushatës. Fushata akoma nuk ka filluar zyrtarisht dhe për këtë arsye ne po përgatitemi se hapësira kohore është e mjaftueshme për të gjitha partitë. PDK-ja po e prezanton kandidaturën më të mirë që e ka Kosova, zotëri Bedri Hamza që të merr pjesë në të gjitha takimet që të bashkëbisedojë me qytetarët dhe me anëtarësi e partisë me qëllim që të del partia e parë”, ka deklaruar Haliti.
Haliti gjithashtu theksoi se kandidatura e Bedri Hamzës po pritet shumë mirë nga elektorati i PDK-së, sipas tij, Hamza është kandidati më i përshtatshëm për kryeministër për programin e PDK-së.
“Pritjet janë të mira, që të del partia e parë, tani ajo që më bënë përshtypje të mirë në të gjitha nivelet është që kandidatura e Bedri Hamzës është duke u pritur shumë mirë, edhe tek elektorati i partive të tjera edhe tek elektorati i cili ka qenë i luhatur dhe që ka votuar Lëvizjen Vetëvendosjen në zgjedhjet e kaluara. Është një besim shumë i madh për faktin që Bedri Hamza ka kaluar shumë sfida, ka qenë edhe ministër i Financave dhe oferta të tij janë të besueshme për programin e PDK-së, ka thënë ai.
Haliti gjithashtu ka theksuar rëndësinë e konsolidimit të demokracisë dhe institucioneve të Kosovës, si dhe miratimin e ligjeve që do të mundësojnë integrimin e shpejtë të Kosovës në Bashkimin Evropian.
“Për Kuvendin e Kosovës dhe për deputetët është primare konsolidimi i demokracisë dhe konsolidimi i institucioneve të Kosovës, miratimi i ligjeve të cilat e mundësojnë integrimin më të shpejtë të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe kontrollin e Qeverisë”, theksoi kandidati për deputet, Haliti./eo