Ankesat e qytetarëve ndaj Kompanisë Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS) për problemet me furnizimin me energji elektrike vazhdojnë të rriten.
Një qytetar nga Komuna e Prizrenit, Shqipron Krasniqi nga fshati Medvec, ka raportuar për mungesë të energjisë elektrike që nga 23 dhjetori 2024
Në një mesazh drejtuar Telegrafit, Krasniqi ka shprehur shqetësimin për mungesën e reagimit nga KEDS, pavarësisht se ka dërguar një ankesë përmes emailit më 25 dhjetor
“Dëshiroj të ndaj me ju një shqetësim lidhur me mos-përgjigjen e KEDS ndaj ankesës time për mungesën e energjisë elektrike që ka ndodhur që nga data 23 dhjetor 2024. Pavarësisht se kam dërguar një email më datë 25 dhjetor, KEDS nuk ka marrë mundimin të më përgjigjet. Ky injorim ndaj kërkesave të qytetarëve është një problem serioz dhe dëshiroj që kjo çështje të trajtohet me përgjegjshmëri,” ka deklaruar Krasniqi
Po ashtu ankesë për ndërprerje të rrymës ka pasur edhe në disa fshatra të rajonit të Klinës si fshati Carravikë apo Gllarevë.
Nga ana tjetër, KEDS ka bërë thirrje për kursimin e energjisë elektrike, duke theksuar se pesë komuna – Ferizaj, Gjakova, Rahoveci, Prizreni dhe Gjilani – po përballen me probleme për shkak të mbingarkesave.
Në një komunikatë për media, KEDS ka njoftuar se janë angazhuar mbi 1,000 punëtorë për të menaxhuar situatën dhe për të siguruar furnizimin e qëndrueshëm.