62 vjet më parë u vu në skenë baleti shqiptar “Halili dhe Hajria”. Ky ishte produksioni i parë tërësisht shqiptar në historinë e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit (TKOB).
“Halili dhe Hajria” ishte vepër e kompozitorit Tish Daija, baletmaestrit Panajot Kanaçi dhe u dirigjua nga Mustafa Krantja. Pas këtij baleti që bëri jehonë, të tjera balete kombëtare do të pasonin në skenën e TKOBAP-së.
Në 1963-shin, Hajria u interpretua nga balerinat Ganimet Vendresha dhe Zoica Haxho ndërsa rolin e Halilit e interpretuan Xhemil Simixhi, Kristaq Rada dhe Llaqi Nako.
Dhjetë vjet më vonë (dhjetor 1973) kjo vepër u luajt për herë të 150-të.
Në vitin 1983, “Halili dhe Hajria” rivihet sërish në skenë. Në rolin e Halilit, krahas emrit të balerinit të njohur Llaqi Nako, interpretuan edhe artistët Ilir Kerni, Gerd Vaso, Esdalin Gorani dhe Eno Birko. Ndërsa rolin e Hajries e sollën në skenë balerinet Albana Sulejmani, Keti Trajani, Julika Islami, Enada Hoxha, Alisa Gjoni dhe Odeta Dishnica.
Në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, si dhe jashtë saj, “Halili dhe Hajria” është luajtur mbi 250 herë. Në turnetë e zhvilluara në Greqi, Itali, Turqi, Francë etj., kjo vepër ka korrur një sukses të padiskutueshëm. Në Francë, baleti u vu në skenë nga një trupë franceze dhe më pas në Prishtinë. Në të dyja rastet, baletmaestro ka qenë i madhi Panajot Kanaçi, i nderuar me titullin “Nder i Kombit”.