Prokuroria po merret me mbledhjen “urgjente” të zgjedhjes së kryetarit të ri pa e kryer mandatin i vjetri, KPM del me një reagim

by Nexhat

Ndonëse Jeton Mehmeti kishte edhe pak ditë mandat në krye të Komisionit të Pavarur të Mediave, anëtaret e Bordit të këtij institucioni në një mbledhje të jashtëzakonshme në thirrur nga Luljeta Aliu kishin vendosur që të zgjidhnin kryetar të ri, Besnik Berishën, ndërkohë që vetë Aliu u propozua për nënkryetare. Pas votimit të Berishës për kryetar, Jeton Mehmeti s’kishte pranuar që të vazhdonte mbledhjen, pavarësisht insistimit të anëtarëve të Bordit, meqë thoshte se s’ka siguri juridike, meqë s’mund të jenë dy kryetar në të njëjtën kohë.

Ky edhe ka qenë momenti kur mbledhja ishte mbyllur dhe nuk dihej si do të vazhdohej tutje me tollovinë e krijuar. Ndërkohë që pas kësaj mbledhje ku ishin bërë plotësim ndryshime të rregullores dhe zgjedhje e kryetarit të ri, Prokuroria Themelore e Prishtinës kishte konfirmuar se është duke e shqyrtuar rastin.

banner

“Po, jemi në fazën e shqyrtimit, është angazhuar një prokuror, poashtu jemi duke e vlerësuar aspektin e kompetencës, nëse është kompetencë e Prokurorisë sonë apo e Prokurorisë Speciale”, i kishte thënë Betimit për Drejtësi, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, z. Zejnullah Gashi.

Pak ditë pasi Prokuroria ka konfirmuar se po merret me këtë çështje, në faqen zyrtare të KPM-së është lëshuar një sqarim për publikun, sqarim në të cilin pretendohet se gjithçka ka shkuar sipas rregullores së punës dhe ligjit.

Sipas këtij njoftimi në faqen zyrtare të KPM-së, thuhet se rast i njëjtë i zgjedhjes së kryetarit të ri ende pa i skaduar mandati kryetari të vjetër, kishte ndodhur me 9 mars të 2016-ës.

“Një praktikë e tillë e zgjedhjes së Kryetarit të ri të KPM-së para skadimit të mandatit të Kryetarit në detyrë është regjistruar edhe më herët respektivisht ri-zgjedhja e z.Adnan Merovcit me datë 09.03.2016, e që nuk ka pasur asnjë paqartësi. Kjo paraqet një historik institucional dhe precedent të ngjashëm, sa i përket funksionimit dhe punës së Komisionit”, thuhet në arsyetimin e KPM-së.

Për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme nga Luljeta Aliu, ka qenë juristja e medias, Flutura Kusari, ajo që ka ngritur alarmin, duke e cilësuar si përpjekje të pushtetit për kapjen e Komisionit të Pavarur të Mediave

Kjo gjë s’i kishte pëlqyer fare Luljeta Aliut e cila kishte shprehur pakënaqësinë e saj me nxjerrjen e dokumentit në publik.

Kanë reaguar edhe organizata ndërkombëtare të gazetarëve, duke thënë se KPM duhet të mbahet larg nga ndikimet politik për të ruajtur mandatin për të cilin është i thirrur, mbrojtja e lirisë së medias e gazetarëve

Sqarimi i KPM për publikun

Lidhur me informatat e plasuara në publik sa i përket zgjedhjes së z. Besnik Berisha si Kryetar i KPM-së, njoftojmë publikun se Rregullorja e Punës e KPM-së, e hartuar fillimisht në vitin 2012, dhe e amandametuar në vitin 2014, 2018 dhe tani në 2025, është bërë në pajtim me të njëjtin Ligj të KPM-së ( Ligji nr. 04/l-44 për Komisionin e Pavarur të Mediave). Rregullorja e Punës e KPM-së nuk ka qenë asnjëherë në diskutim publik. Është interpretim i qartë ligjor që aktet e brendshme institucionale që rregullojnë procedurat e brendshme të punës së institucionit dhe që nuk rregullojnë ose përcaktojnë në çfarëdo forme marrëdhëniet me palët e jashtme (pra në këtë rast mediat e licencuara dhe publikun) nuk vendosen në diskutim publik.

Pra janë të vetmit anëtarët e KPM-së që kanë të drejtën dhe mund të ndryshojnë Rregulloren e Punës në çdo kohë. Gjithashtu edhe zgjedhja e Kryetarit bëhet ekskluzivisht nga anëtarët e Komisionit si e drejtë dhe obligim ligjor i tyre.

Është obligim i anëtarëve të Komisionit që brenda kapaciteteve të tyre, të bëjnë gjithë çfarë është e mundur që KPM të funksionojë në mënyrë sa më efikase dhe efektive, e që ndër të tjera nënkupton edhe evitimin e krijimit  të vakumit institucional, pra në rastin konkret mungesën e Kryetarit dhe Nënkryetarit. Përveç tjerash, zgjedhja e Kryetarit mundëson që me ardhjen e vetëm një anëtari të ri të KPM-së të krijohet kuorumi i duhur për mbajtjen e mbledhjeve të rregullta. Në të kundërtën, duhet pritur ardhjen e dy anëtarëve të rinj, e që nga praktika e zgjedhjes së tyre mund të ketë raste me diferencë kohore disa mujore ose dhe vjetore

Zgjedhja e Kryetarit përveç që rrit efikasitetin dhe shton kredibilitetin e KPM-së, gjithashtu shton edhe gjasat për shkurtimin e kohës kur KPM do të jetë në gjendje të ketë kuorumin e duhur për të marrë vendime.

Një praktikë e tillë e zgjedhjes së Kryetarit të ri të KPM-së para skadimit të mandatit të Kryetarit në detyrë është regjistruar edhe më herët respektivisht ri-zgjedhja e z.Adnan Merovcit me datë 09.03.2016, e që nuk ka pasur asnjë paqartësi. Kjo paraqet një historik institucional dhe precedent të ngjashëm, sa i përket funksionimit dhe punës së Komisionit.

Insistimi nga jashtë për të influencuar vendimmarrjen e KPM-së në drejtimin e lënies së qëllimshme vakante të pozitës së Kryetarit, përveç që është në kundërshtim me nenin 6 të Ligjit për KPM-në (Pavarësia e KPM-së), poashtu rrezikon dobësimin e KPM-së si rregullator të medieve dhe rrit gjasat që krijimi i kuorumit të domosdoshëm për marrjen e vendimeve  të ketë vonesa të panevojshme dhe që me zgjedhjen e kryetarit janë evituar.

KPM-ja është e shqetësuar nga raportimet e medieve për “shkarkim” në mënyrë të paparalajmëruar dhe të befasishme të ish-Kryetarit të kaluar. Për hir të sqarimit dhe transparencës ndaj medieve dhe qytetarëve, KPM informon se çështja e zgjedhjes së Kryetarit/Nënkryterit të ri është adresuar në dhjetor 2024 dhe diskutimet kanë vazhduar gjatë gjithë muajit janar 2025 deri në mbledhjen e 17 janarit 2025. Kërkesa formale për ndryshim të rregullores është bërë me 5 janar 2025. Ish-Kryetari është dakorduar me datën 13 janar 2025 që të procedohet me zgjedhjen e Kryetarit gjatë mbledhjes, përkundër që pika e zgjedhjes së kryesisë se re nuk ishte përfshirë në agjendë siç ishte kërkuar nga shumica e anëtarëve të KPM-së

Rrjedhimisht, raportimet e mediave për “shkarkim” të “paparalajmëruar/të befasishëm” kanë qenë lajme të paverifikuara dhe të njëanshme që në mënyrë të padrejtë e kanë akuzuar KPM-në për ndikim politik.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy