Mbi 200 mijë armë pa leje, kërkohet strategji afatgjate për sekuestrimin e tyre

by Nexhat

Viti 2024 ka shënuar një rënie të ndjeshme të krimeve të dhunshme në Kosovë, sipas statistikave të publikuara nga Policia e Kosovës.

Krimet, si vrasjet, vjedhjet dhe grabitjet kanë regjistruar ulje të konsiderueshme, duke pasqyruar një përmirësim të dukshëm në situatën e sigurisë. Megjithatë, ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se ende mbeten sfida dhe nevoja për një strategji më të qartë për të adresuar shqetësimet e sigurisë në të ardhmen.

banner

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala për Ekonomia Online ka thënë se ulja e numrit të vrasjeve lidhet me disa faktorë, përfshirë përmbylljen e disa proceseve në sistemin gjyqësor dhe arritjen e marrëveshjeve mes palëve në konflikt.

Sipas tij, mungesa e efikasitetit të sistemit prokurorial dhe gjyqësor shpesh ka shtyrë qytetarët të marrin drejtësinë në duart e tyre.

“Sa i përket çështjes së numrit të vrasjeve, një ulje të tillë mund të jetë një nga shumë faktorët çështja e përmbylljes së disa proceseve në pjesët e sistemit gjyqësor, sepse kryesisht mos efikasiteti i sistemit prokurorial e gjyqësor ka ndikuar që qytetarët të marrin drejtuesin në duart e tyre. Një element tjetër mbetet edhe çështja e marrëveshjeve që mund të arrijnë palët të cilat janë në konflikt e sipër dhe kjo ka ndikuar që të reflektoj në kontekstin e asaj që mos të ketë rritje të aktivitete të veprave penale vrasje, por të ketë një ulje të tillë. Por ne duhet që të reflektojmë dhe do të duhet të shikojmë që mundësi ekuivalente me vepra penale që mund të jenë vrasje të jetë minimale dhe për këtë gjë ne do të duhet që të bashkëpunojmë që sistemi policor, prokurorial dhe gjyqësor të kenë një harmoni dhe të ketë një funksionalitet të duhur për të minimizuar një aktivitete të tillë”, ka thënë ai. 

Lidhur me konfiskimin e armëve, Shala vlerësoi punën e Policisë së Kosovës për reduktimin e armëve ilegale, duke theksuar rëndësinë e krijimit të një plani strategjik afatgjatë. 

“Për konfiskimin e armeve, Kosova ngadalë është duke u pastruar nga armët të cilat kanë qenë si relikt i luftërave të viteve të 90-ta dhe kjo është një tregues i mirë që policia e Kosovës ka ndikuar që të ketë një aktivitet të shtuar në rastet e konfiskimeve të armëve dhe municioneve, por ne do të duhet që të mendojmë një plan strategjikë afatgjatë i cili plan pa dyshim do të duhet që të jetë një kampanjë e re, që i nxit qytetarët e Kosovë që kanë armë të tyre ilegale në shtëpitë e tyre t’i dorëzojnë pa u ndjekur penalisht. Kjo ngritje është tregues që policia kryen punët operacionale, ndërsa ne duhet që të mendojmë një hap tutje që 250 mijë armë që konsiderohen që janë në duart e qytetarëve të Kosovës, t’i dorëzojnë përmes formave dhe kampanjave të caktuara që minimizohet rreziku i përgjithshëm nga armët të cilat janë në duart e qytetareve”, ka thënë ai.

Eksperti tjetër i sigurisë, Avni Islami tha se Kosova, si vend i dal nga lufta, përballet ende me një numër të madh armësh ilegale, përfshirë armë luftarake dhe sportive. 

Islami thekson nevojën që institucionet e Kosovës të gjejnë formë dhe mënyrë që t’i joshin ata që posedojnë armë ilegale që t’i dorëzojnë ato. 

“Kosova është një vend i dal nga lufta dhe kur merret parasysh që konsiderohet që është një numër i madh i armeve, qoftë armë luftarake por edhe armë rekreative, sportive të cilat mund të legalizohen dhe të pajisen me leje, numri është shumë i lartë i këtyre armëve. Krahasuar me vendet e rajonit Kosova nuk qëndron me armëmbajtje pa leje në raport me vendet e tjera siç është Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e të tjera. Mirëpo, pa marrë parasysh, edhe duke mos u bërë krahasime me vendet e tjera, ky numër aq i madh i armeve pavarësisht që janë dorëzuar disa, e disa janë pajisur me leje, prapë është numri i madh dhe institucionet e Kosovës duhet të gjejnë formë dhe mënyrë që të joshen të gjithë ata të cilët kanë armë luftarake, të dorëzohen, apo të subvencionohen individ që kanë këto armë”, ka thënë ai.

Ai thekson se faktorët socio-ekonomikë luajnë një rol të rëndësishëm në rastet e dhunës. 

“Një ndër faktorët është kjo, por ka edhe faktorë të tjerë e ndër faktorët kryesor janë faktorët socio-ekonomik sepse në rastin më së shumti që kemi plagosje ose vrasje janë për mos marrëveshje pronësore për motive të ulëta, madje edhe për plaçkitje. E kur të jetë parasysh gjithë këta faktor atëherë një mirëqenie socio ekonomike më e mirë e qytetareve do të jetë më pak e interesuar që të ketë probleme”, ka thënë ai. 

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës numri i vrasjeve ka pësuar një ulje prej 41.38%, duke kaluar nga 29 raste në vitin 2023 në 17 raste për vitin 2024 që e lamë pas.

Përveç vrasjeve, edhe disa vepra të tjera penale kanë pësuar ulje të konsiderueshme.

Vjedhjet kanë rënë me 11.03%, nga 3844 raste në 3420.

Vjedhjet e rënda kanë pësuar një ulje prej 23.37%, nga 2555 raste në 1958.

Grabitjet janë ulur me 13.58%, nga 81 raste në 70.

Po ashtu gjatë vitit 2024 është rritur me 23.3 për qind numri i armëve të konfiskuara, ku janë konfiskuar 1586 armë, ndërsa municione të konfiskuara ishin 28,859.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy