Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka vazhduar me shqiptimin e gjobave ndaj subjekteve politike që kanë shkelur Kodin e Mirësjelljes, gjatë fushatës zgjedhore.
PZAP së fundmi ka dënuar me 12 mijë euro, Lidhjen Demokratike të Kosovës, për shkak të vendosjes së posterave të disa kandidatëve në hapësirat publike, konkretisht në stacionet e desitunuara për pritje të autobusëve.
Këtë vendim PZAP e mori më 1 shkurt pas dorëzimit të 11 ankesave nga Lëvizja Vetëvendosje më 21 janar 2025.
Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se në ankesën Anr.85/2025 aktivistë të LVV-së në Prishtinë kanë identifikuar poster të vendosur në rrugën “C” nga kandidati për kryeministër Lumir Abdixhiku dhe kandidatët për deputetë Izet Sadiku dhe Fiknete Betja nga radhët e subjektit politik LDK, duke shfrytëzuar jashtëligjshëm dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore lidhur me mbarëvajtjen e zgjedhjeve, hapësirat publike, konkretisht të njëjtit shfrytëzojnë hapësirat në stacionet e destinuara për pritje të autobusëve.
Një veprim i tillë thuhet se është vërejtur edhe nga kandidati Shkëmb Manaj, Sokol Havolli, Doruntinë Maloku, Arben Gashi, Doarsa Kica Xhelili, Besian Mustafa, Alban Zogaj, Hykmete Bajrami, Sibel Halimi.
Përveç rrugës “C”, vendosja e posterave në hapësirat që shfrytëzohen për pritje të autobusëve janë hasur edhe në rrugën “Hemine Lekaj” në lagjen Bregu i Diellit, rrugën “Afrim Zhitia”, rrugën “Xheladin Rekaliu”, rrugën “Enver Maloku, rrugën “Fehmi Lladrovci”, rrugën “Abrnor dhe Astrit Dehari” dhe rrugën “Eqrem Qabej”.
Me këto veprime kandidatët nga subjekti politik LDK, kanë bërë shkelje të nenit 34 paragrafi 1 nën paragrafi 1.2 të Ligjit Nr08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës.