Pas një aksioni të rëndësishëm të Policisë së Kosovës, katër qendra për punë sociale në veri të Kosovës të premten janë mbyllur nën dyshimin se kanë përfituar përmes kërcënimeve që qytetarët të votonin për një parti politike të caktuar.
Zëvendës drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se vendimi për bastisjen dhe mbylljen e qendrave për punë sociale në veri është ndërmarrë me urdhër të Gjyaktës.
“Më 8 shkurt ka pasë një veprim nga ana jonë në qendrën për punë sociale në Zubin Potok ku ka pasë ndikim në votues. Policia ka ndërmarr veprime për detyrim, udhëzim kanosje, kërcënim për atë rast dhe gjatë hetimit të atij rasti kemi ardhur në përfundim që aty ka dokumenta që lëshohe në mënyrë të kundërligjshme ose në jo në kuadër të ligjeve të Kosovës. E kemi njoftuar Prokurorinë me te gjeturat tona, Prokuroria ka përkrahur idenë tonë që ne të bëjmë bastisjen dhe me urdhër të gjykatës kemi hy në bastisje”, tha ai, duke shtuar se EULEX ka qenë aty por që Policia i zbaton urdhërat e Gjykatës.
Ai për RTV21 e tregoi edhe një rast interesant që kishin hasur gjatë bastisjeve nëpër këto qendra.
“Ajo që ka qenë interesante është që në këto qendra një person e ka pasë një kompjuter e ke pasë sistemin e Serbisë dhe sistemin e Kosovës, tash ke shku me kry një sherbim dhe në atë kompjuter varet çfarë sherbimi ke kërku. Ne kemi këtu aq shumë institucione paralele që duket se institucion paralel kishim qenë ne, dhe jo Serbia. Këtu në fakt kemi të bëjmë me Serbi komplet me institucione të Serbisë, shumicën i kemi mbyllë na kanë mbetë edhe disa”, tha ai,
Elshani konfirmoi se lidhur me këtë rast nuk ka të arrestuar, por që tre persona janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve për veprën “Falsifikim i dokumentit”.
Tutje Elshani tha se situata e sigurisë në veri është e qetë, por delikate.
“Situata e sigurisë është e qetë, vazhdon të jete delikate mirëpo është e qetë. Ne e kemi detyrën tonë që me rujt rendin dhe qetësinë publike. Jemi këtu në shërbim dhe me i mbrojët qytetarët e veriut të vendit por nuk tolerojmë ndonjë protest të dhunshme ose me pasë bllokada të rrugëve, nuk shohim ndonjë problem. Në rast se ka ndonjë problem ne jemi për të reaguar”, tha Elshani.
Elshani tha se ka edhe raste tjera të tilla, por që s’ka shumë si më parë