Pasi u aprovua pjesërisht ankesa e Prokurorisë, Thaçit i shtohet përgjegjësia për “nxitje” në aktakuzën kundër administrimit të drejtësisë

by Nexhat

Pasi Gjykata e Apelit në Speciale ka aprovuar pjesërisht ankesën e Prokurorisë ndaj vendimit për konfirmimin e aktakuzës në rastin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilat, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, është shtuar një formë e përgjegjësisë penale ndaj Thaçit në rastin kundër administrimit të drejtësisë.

Më 14 prill 2025, gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot, ka ndryshuar vendimin e saj të mëparshëm për konformimin e aktakuzës, kështu duke konfirmuar formën e përgjegjësisë penale për Thaçin që bie në bazë të nenit 32 (3) të KPRK-së që ka të bëjë për shtytje në kryerjen e veprës penale të “Pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”, në bazë të nenit 401 (3) dhe (5) të KPK-së.

banner

Në vendim, Masselot ka urdhëruar që Prokuroria të dorëzojë versionin e ri të aktakuzës deri më 16 prill 2025 dhe pastaj administratorja ta dorëzojë tek Thaçi dhe të tjerët në gjuhën shqipe, si dhe versionin e redaktuar ta dorëzojnë për publikun, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Aktakuza e rikonfirmuar, sipas gjyqtares, duhet t’i dorëzohet në Kosovë edhe Hajredin Kuçit.Veç kësaj, në vendim thuhet se Thaçi është i informuar për të gjitha akuzat dhe tashmë është deklaruar lidhur me ato, ndërsa zhvillimi i fundit me vendimin aktual nuk shton ndonjë pikë të re të aktakuzës, por vetëm një formë të re të përgjegjësisë për nxitje në lidhje me veprat për të cilat ai është i akuzuar në pikën 1, 2 dhe 3 të aktakuzës.

Si rrjedhojë, gjyqtarja ka konstatuar se nuk është e nevojshme ndonjë paraqitje fillestare në seancë siç ndodhë nëse shtohet ndonjë akuzë e re. Por, qëndrimi i Thaçit lidhur me ketë formë të re të përgjegjësisë duhet të evidentohet dhe se këtë Thaçi duhet të bëjë me shkrim deri më 24 prill 2025.

“z. Thaçi ftohet që, nëse dëshiron, të deklarojë fajësi ose pafajësi me shkrim, deri të enjten, më 24 prill 2025, ora 16:00. Nëse nuk e shfrytëzon këtë të drejtë, Gjykatësi do të regjistrojë një deklaratë të pafajësisë në emër të tij, sipas rregullës 92 (2) (f)”, thuhet në vendim.

Megjithatë, Thaçit i ofrohet e drejta që në rast që dëshiron të njoftohet publikisht në seancë lidhur me këtë formë të përgjegjësisë, mund ta bëjë kërkesën deri në po të njëjtën ditë. Ndërsa, si afat për dorëzimin e mocioneve nga ana e palëve është caktuar 8 maji.

Ndryshe, Gjykata e Apelit e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka aprovuar pjesërisht ankesën e Prokurorisë ndaj vendimit për konfirmimin e aktakuzës në rastin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilat, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit.

Nga katër pika të ankesës së ZPS-së, u pranua vetëm ajo që kishte të bënte me përgjegjësinë e Thaçit për nxitjen e Kilajt, Smakajt dhe Fazliut për të kryer veprën penale të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Paneli i Apelit ka marrë vendim që një nga katër pikat që kishte ngritur ZPS-ja kundër vendimit për konfirmimin e aktakuzës ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, ta pranojë lidhur me përgjegjësinë penale të Thaçit për ‘nxitje’ në kryerjen e veprës penale “Pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”.

Pika e katërt e ankesës së ZPS-së, kishte të bënte me kundërshtimin e konstatimit të gjyqtares që neni 32 (3) i KPRK-së nuk zbatohet për veprën e “Pengim i personave zyrtarë” sipas nenit 401 (3) dhe (5) të KPRK-së.

Sipas ZPS-së, gjyqtarja ka gabuar kur ka konstatuar se për shkak se neni 401 (3) dhe (5) të KPRK-së nuk parashikon dënim deri në pesë vjet burgim, për rrjedhojë neni 32 (1) nuk është i zbatueshëm pasi sipas saj kjo dispozitë zbatohet vetëm për vepra që janë të dënueshme më pak se pesë vjet.

Sipas ZPS-së, gjykatësi i procedurës paraprake ka gabuar duke konstatuar se, për shkak se neni 401 (3) dhe (5) i KPK-së parashikon dënim nga një deri në pesë vjet burgim, neni 32 (3) nuk ishte i zbatueshëm, pasi kjo dispozitë zbatohet vetëm për vepra të dënueshme me të paktën pesë vjet burgim. Mbrojtja e Thaçit kishte thënë se gjyqtarja e ka interpretuar saktë këtë nen.

Neni 32 (3 ) i KPRK-së për “Shtytje” thotë se “Kushdo që me dashje shtytë personin tjetër të kryejë vepër penale të dënueshme me së paku pesë (5) vjet burgim dhe vepra penale as që është tentuar, shtytësi dënohet për tentativë”.

Sipas Panelit, gjyqtarja kishte konstatuar se vepra që bie në nenin 401 (3) të KPRK-së është e dënueshme nga 1 deri në 5 vjet burgim, prandaj e përjashtoi përgjegjësinë e Thaçit sipas nenit 32 (3) të KPRK-së për pikën 1, 4 dhe 4 të aktakuzës.

Veç kësaj, paneli kishte thënë se ka mospajtime për interpretimin e këtij neni pasi sipas tyre, panele më të ulëta kanë interpretuar që ky nen është i zbatueshëm për veprat penale të dënueshme mbi pesë vjet dhe disa për ato të dënueshme nën 5 vjet.

Në vendim thuhet se me shumicë votash, Paneli ka rënë dakord me ZPS-në, duke thënë se neni 32 (3) duhet të zbatohet për vepra që përfshijnë ose edhe i tejkalojnë pesë vite burgim.

“Si rezultat, Paneli konstaton, me shumicë votash, se duke qenë se vepra e pengimit të personave zyrtarë është e dënueshme në format e saj të rënduara me burgim nga një (1) deri në pesë (5) vjet, forma e tretë e nxitjes sipas nenit 32(3) të KPK-së është e zbatueshme në këtë rast”, thuhet në vendim.

Si rrjedhojë, ata e konsideruan gabim konstatimin e gjyqtares së ky nen nuk ishte i zbatueshëm për veprën “Pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”. Kështu që paneli, pranoi pikën katër të ankesës së ZPS-së.

“Duke qenë se konstatimi për ekzistencën e një dyshimi të bazuar mirë se Thaçi i ka nxitur Fazliun, Smakajn dhe Kilajn për të kryer veprën penale të pengimit të personave zyrtarë përfshin një vlerësim faktik të provave, çështja i kthehet Gjykatësit të Procedurës Paraprake për shqyrtim të mëtejshëm”, thuhet tutje në vendim.

Ndryshe, në këtë rast Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt me 9 dhjetor.

Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe VllaznimKryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të privilegjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy