Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar edhe një herë ndaj ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, duke i rikujtuar atij se Ligji për Qeverinë, të cilin e ka hartuar dhe miratuar pushteti aktual, e obligon që të japë dorëheqje.
Polemika vjen pasi Murati deklaroise Neni 26 nuk ka vlefshmëri për rastin aktual, meqë zgjedhjet janë shpallur pas datës 23 mars 2025, duke cituar Nenin 31 të ligjit.
Por Bajrami e ka kundërshtuar këtë interpretim, duke i kërkuar Muratit që të lexojë sërish Nenit 26, paragrafi 1, i cili, sipas saj, është shumë i qartë:
“Në rast se anëtari i Qeverisë në detyrë zgjidhet deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i njëjti duhet të japë dorëheqje nga posti i anëtarit të Qeverisë para ditës së certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.”
Ajo thekson se për periudhën nga 23 deri më 27 mars, Hekuran Murati ka qenë ministër në detyrë dhe ligji – i njëjti që ka dalë nga kjo Qeveri – kërkon dorëheqje në këto rrethana.
“Ti po thu je në detyrë, Ligji yt po thotë nëse je në detyrë, ti duhesh me dhanë dorëheqje. Prej datës 23 deri me 27 ke qenë në detyrë. Me datë 27, Ligji që vetë e ke shkru po thotë se është dashtë me dhanë dorëheqje,” shkruan Bajrami.
Deputetja e LDK-së e mbyll reagimin e saj me një pyetje drejtuar Qeverisë në detyrë: “Pse po friksoheni me i lëshu zyrat? Nëse i keni numrat, brenda disa orëve mund të ktheheni aty prapë!”