Në orët e para të së martës, Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion të gjerë në tri rajone të ndryshme të vendit, të cilin autoritetet e kanë cilësuar si të suksesshëm. Operacioni ka pasur në shënjestër aktivitetet kriminale të lidhura me trafikimin e narkotikëve dhe krimet kibernetike.
Lajmin e konfirmoi zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i cili tha për media se aksioni është zhvilluar nga zyrtarët e Departamentit të Hetimeve, nën autorizimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).
“Sot në orët e hershme të mëngjesit është realizuar një operacion i suksesshëm policor. Gjatë këtij operacioni janë kryer kontrolle në tri rajone të Kosovës, që përfshijnë një numër të konsiderueshëm lokacionesh, me qëllim të luftimit të trafikimit me narkotik dhe krimeve kibernetike”, deklaroi Kelani.
Ai bëri të ditur se hetimet janë në vijim dhe se operacioni ende nuk është përmbyllur plotësisht. Autoritetet janë duke bashkëpunuar ngushtë me organet e drejtësisë për të ndërmarrë veprimet e mëtejme ligjore ndaj personave të përfshirë.
“Veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, ku për informacione shtesë mund të informoheni pas përfundimit dhe kompletimit të operacionit”, thuhet në njoftim.
Ende nuk ka të dhëna zyrtare për numrin e të arrestuarve apo sasinë e substancave narkotike dhe pajisjeve të konfiskuara, por pritet që autoritetet të dalin me detaje pas finalizimit të plotë të operacionit.
Ky aksion vjen si pjesë e përpjekjeve të intensifikuara të institucioneve të sigurisë për të goditur rrjetet kriminale në vend, duke forcuar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.