Maliqi për Kurtin: Revolucionar leninist, është i interesuar të sundojë – rruga e tij është tipike e autokratëve

by Nexhat

Njohësi i çështjeve politike Agon Maliqi, ka hedhur kritika në drejtim të liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke thënë se ky i fundit është i interesuar për sundim e jo për qeverisje, dhe se, i njëjti është një ‘‘revolucionar leninist’’ e jo një ‘‘lider liberal-demokrat’’,

Maliqi, ka shtuar se, Kurti e ka humbur shumicën popullore, dhe se, rruga e vetme e liderit të VV-së, për sundim ‘‘është ajo tipike e autokratëve’’.

banner

‘‘Kurti nuk është i interesuar për qeverisje, por për sundim, e këtë skenar ia mundëson vetëm kriza kushtetuese, shpartallimi i rendit eksistues juridik dhe krijimi i “Republikës së Tretë” përmes kaosit dhe rrethanave emergjente. Kushdo që deri tani nuk e ka kuptuar se kemi të bëjme me një revolucionar leninist, e jo me një lider liberal-demokrat që synon të punojë brenda rendit ekzistues, ka qenë duke fjetur njëzet vitet e fundit në ndonjë shpellë. Dikush që do të ishte i interesuar për qeverisje deri tani do ta gjente një formulë konsensusi për katër vitet e ardhshme duke e respektuar vullnetin qytetar që e vendosi në vend të parë por nuk i dha shumicë. Por jo edhe revolucionari leninist. Meqenëse e ka humbur shumicën popullore, dhe meqenëse përqindja tash e tutje vetëm sa do të zvogëlohet dhe do të diktojë kompromise edhe më të mëdha, rruga e tij e vetme për sundim është ajo tipike e autokratëve – e kapjes së institucioneve të shtetit dhe e imponimit të vullnetit përmes tyre’’, ka shkruar ai.

Më tej, Maliqi në postimin e tij, ka deklaruar se gjatë mandatit të parë të Kurtit, është parë qartë ‘‘tendenca e abuzimit me institucionet e pavarura’, dhe se, liderit të VV-së për të vendosur diktat mbi ‘‘shqiptarët dhe mbi institucionet kyçe të pavarura’’, sipas Maliqit, i duhet ‘‘një president i dëgjueshëm’’.

‘‘Mandati i parë ishte një “vozitje test” ku u pa qartë tendenca e abuzimit me institucionet e pavarura në funksion të pushtetit. Por ajo hasi në rezistencë të mediave, opozitës, shoqërisë civile dhe, më e rëndësishmja, gjykatave si kushtetuesja që ia rrëzuan ligjet kundërkushtetuese. Tejkalimin e normave ligjore dhe kushtetuese Kurti e zbatoi më së lehti me raste në trajtimin e serbëve (po them disa raste, jo gjithmonë) sepse aty gjen lehtë mbështetje popullore edhe për ta shkelur ligjin me dy këmbë. Kurse tani për ta siguruar diktatin mbi shqiptarët dhe mbi institucionet kyçe të pavarura – gjykatat, inteligjenca, etj – Kurtit me çdo kusht i duhet një president i dëgjueshëm dhe një noter miratues i projektit të shpartallimit të rendit juridik. I duhen edhe më shumë komuna, sepse me komunat në duar të tjera biznesi nuk po është mjaftueshëm nën kontroll (prandaj edhe ky zell me i ndëshku me çmimin e rrymës, gjithsesi brenda ligjit!)’’, ka shkruar ai më tej.

Maliqi ka shkruar edhe se Kurtit nuk i bëhet vonë dhe se pret ‘‘me muaj të tërë’’.

‘‘Qysh me mujtë diqysh me e kriju një situatë ku fitohen disa komuna më shumë, dhe ku pas skadimit të mandatit të Osmanit, kryeministri në detyrë bashkë me presidenten në detyrë (kryetaren e kuvendit) janë të dy nga VV? Kurtit nuk i bëhet vonë dhe pret edhe muaj të tërë deri te ky moment nga komoditeti i kryeministrit në detyrë, në shkelje flagrante të një ligji të miratuar prej vetë tij që e detyron të japë dorëheqje. Më pas, pa parlament efektiv, kjo dyshe e ushtruesve të detyrës do të sillej si ata kryetarët në veri që po marin vendime gjithsesi të ligjshme, por jo edhe legjtime, me 1% të votave. Si ajo thënia e presidentit peruan Benavides: “Për miqtë e mi, gjithçka! Ndërsa për armiqtë, ligjin!” E kështu përmes ligjit deri te shembja e tij – deri te Republika e Tretë’’, ka përfunduar ai. 

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy