Vazhdon sot gjykimi për 45 të akuzuar për rastin Banjska

by engel

Gjykimi kundër tre prej 45 të akuzuarve për terrorizëm dhe vepra të rënda penale në rastin “Banjska” – ku mbeti i vrarë një rreshter i Policisë së Kosovës në shtator 2023 – do të vazhdojë sot me seancën e dytë në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Në seancën e parë të mbajtur në prill për rastin e sulmit në këtë fshat në veri të Kosovës, tre të akuzuarit Vlladimir Tolliç, Bllagoje Spasojeviç dhe Dushan Maksimoviç, u deklaruan të pafajshëm për akuzat për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale.

banner

Gjatë asaj seance, avokati i familjes së rreshterit të vrarë Afrim Bunjaku, Arianit Koci, kërkoi burgim të përjetshëm për të akuzuarit.

Tre të akuzuarit u arrestuan pas sulmit në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023, kur një grup i armatosur i serbëve e sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau Bunjakun.

Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.

Përgjegjësinë për sulmin e armatosur e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon përkrahjen e Beogradit zyrtar.

Për Radoiçiqin dhe 41 të akuzuarit e tjerë të këtij rasti, që ndodhen në arrati, prokurorët kishin kërkuar gjykim në mungesë, por Gjykata Themelore e hodhi poshtë kërkesën e tyre si të “pabazuar”.

Dyzet e dy të dyshuarit akuzohen terrorizëm, vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës, ndërsa Radoiçiç akuzohet edhe për lehtësim dhe financim në kryerjen e terrorizmit, si dhe për shpëlarje parash.

Gjykata theksoi në prill se gjykimi ndaj tyre duhet të vazhdojë pas arrestimit dhe ekstradimit të tyre në Kosovë.

Në seancën e parë në prill, pas deklarimit për fajësinë nga tre të akuzuarit, prokurori special Naim Abazi tha se përmes videove do të dëshmohet se sulmi ishte i paraplanifikuar dhe se grupi ishte “i mirëorganizuar”.

Gjatë shfaqjes së videove të marra nga dronët në ditën e sulmit, Abazi tha se nga sulmi kishin mbetur të dëmtuara edhe shtëpitë e qytetarëve të asaj zone.

Tre të akuzuarit i mohuan akuzat dhe pretenduan se nuk e kishin qëllim vrasjen e askujt, e aq më pak bashkimin e veriut të Kosovës me Serbinë, ashtu siç thotë aktakuza.

Kush janë të pandehurit?

Në aktakuzë përmenden 45 persona:

Millan Radoiçiq, Bllagoje Spasojeviq, Vlladimir Tolliq, Dushan Maksimoviq, Vlladimir Radivojeviq, Uglesha Jarediq, Millorad Jevtiq, Vllastimir Andriq, Aleksandar Millosavleviq, Llazar Shmigiq, Velko Gjorgjeviq, Vlladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Millovan Kërstoviq, Urosh Milliq, Trajko Vasiq, Danillo Vasiq, Vukashin Jarediq, Sasha Periq, Nemanja Stankoviq, Momçillo Vuçkoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zharko Cvetkoviq, Kërsto Damjanoviq, Stefan Millosavleviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Radosh Gvozdiq, Ivan Milliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Axhiq, Millosh Millenkoviq, Gjorgje Balloviq, Danijell Gjukiq, Danillo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Millosh Kragoviq, Milan Nedelkoviq, Nikolla Illiq, Vlladan Illiq, RAD D.O.O. dhe Radulle Steviq.

Çfarë përmban aktakuza për rastin “Banjska”?

Prokuroria Speciale e Kosovës, përveç tjerash, i ngarkon të akuzuarit në rastin Banjska me vepra terroriste dhe vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.

Prokurori i rastit, Naim Abazi, më herët ka deklaruar se të akuzuarit kanë pasur role të ndryshme brenda grupit kriminal, “nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste, deri te financimi dhe pastrimi i parave”.

Në aktakuzë thuhet se ky grup, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”.

Si lider i këtij grupi është identifikuar Millan Radoiçiç, për të cilin thuhet se ka luajtur një rol të rëndësishëm në koordinimin e sulmit dhe aktivitetet kriminale.

Radoiçiç gjendet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar për lidhjet me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionin.

Në Kosovë, ai gjithashtu lidhet me vrasjen e një politikani opozitar serb, si dhe me frikësimin e dëshmitarëve në një proces gjyqësor për disa ndërtime ilegale.

Në aktakuzë, Prokuroria përmend 34 dosje me prova, në mesin e të cilave ka video-incizime, analiza të pajisjeve elektronike, përgjigje të ndryshme nga Luksemburgu, Bosnje e Hercegovina, bankat dhe institucione të ndryshme, deklarata të dëshmitarëve etj.

Autoritetet e Kosovës e cilësojnë sulmin në Banjskë si akt terrorist dhe akuzojnë Serbinë se qëndron pas tij.

Nga ana tjetër, Serbia ka mohuar çdo përfshirje në sulmin në Banjskë, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka theksuar se për Beogradin ky sulm nuk është terrorist, por se po hetohet.

Bashkësia ndërkombëtare e ka dënuar ashpër sulmin në Banjskë dhe ka kërkuar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë./ REL

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy