Ushtarët e misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO kanë zhvilluar një trajnim të specializuar për evakuim emergjent në komunën e Rahovecit, si pjesë e përpjekjeve për forcimin e sigurisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në terren.
Në stërvitje mori pjesë një togë italiane nga Batalioni Kinetik i Komandës Rajonale Perëndim (RC-W), e cila veproi si Forca e Reagimit të Shpejtë (QRF).
Ushtarët simuluan një skenar krize që kërkonte evakuimin e një ekipi austriak të Ekipeve të Monitorimit të Ndërlidhjes (LMT).
Ky ushtrim kishte për qëllim rritjen e ndërveprimit ndërmjet njësive ndërkombëtare dhe përgatitjen e efektshme për përballimin e situatave emergjente që mund të ndodhin në këtë zonë.
KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (1999), duke kontribuar për një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet në Kosovë dhe garantimin e lirisë së lëvizjes, në çdo kohë.
KFOR thekson gjithashtu se bashkëpunimi i ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX është thelbësor për garantimin e stabilitetit dhe reagimin ndaj çfarëdo situate që cenon rendin dhe sigurinë publike.