Një vendim i papritur nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka tronditur strukturën drejtuese të institucioneve arsimore në këtë komunë. Në një lëvizje të befasishme, Hyseni ka larguar nga pozitat e tyre dhjetë drejtorë dhe zëvendësdrejtorë të shkollave fillore dhe të mesme.
Arsyeja pas këtij vendimi ende nuk është bërë publike, ndërsa vendimi ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin lokal, veçanërisht në radhët e stafit arsimor dhe prindërve të nxënësve.
Sipas burimeve të Gazetës Enigma, disa nga të larguarit janë përjashtuar plotësisht nga pozitat drejtuese, ndërsa të tjerët janë transferuar në pozita mësimdhënësi në shkolla të tjera brenda komunës.
Redaksia jonë ka tentuar të kontaktojë me kryetarin Alban Hyseni dhe drejtorin komunal të Arsimit, Shpend Nuhiu, për të marrë një sqarim zyrtar lidhur me këtë vendim të diskutueshëm, por të dy zyrtarët kanë qenë të paqasshëm deri në momentin e publikimit të këtij lajmi.
Ndërkohë, Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjilan ka publikuar listën e të shkarkuarve, por nuk ka dhënë detaje rreth arsyetimit apo procesit që ka çuar në këto ndryshime të mëdha në menaxhimin e shkollave.
