Pas më shumë se tre muajsh ndalim, TikTok është rikthyer zyrtarisht për përdoruesit shqiptarë. Që prej mëngjesit të sotëm, qytetarët raportojnë akses të pakufizuar në aplikacionin që për shumë të rinj është kthyer në mjet të përditshëm komunikimi dhe krijimtarie.
Ndryshe nga vendimi i bujshëm i 6 marsit 2025 për ta bllokuar për një vit, kthimi i TikTok në Shqipëri ndodhi në heshtje, pa njoftim zyrtar nga institucionet. Përdoruesit thonë se aplikacioni funksionon sërish normalisht, siç ishte para hyrjes në fuqi të ndalimit më 13 mars.
Qeveria e justifikoi mbylljen si një masë mbrojtëse për të rinjtë ndaj përmbajtjes së dëmshme. Por realiteti tregoi tjetër histori: përdorimi i VPN-ve u rrit me 1200% vetëm në ditën e parë të bllokimit, ndërsa TikTok vijoi të numëronte mbi 1.5 milion përdorues aktivë.
Sipas Pikasa Analytics, ndalimi solli vetëm një rënie 3.3% të postimeve, ndërkohë që shikimet e videove u rritën me 14%. Të dhënat e Kepios tregojnë se 35% e përdoruesve në Shqipëri janë të moshës 12–25 vjeç, duke e mbajtur platformën ndër më të preferuarat tek të rinjtë.
Pavarësisht rikthimit, debatet globale mbi sigurinë e TikTok vazhdojnë. Platforma, nën pronësinë e gjigantit kinez ByteDance, mbetet në qendër të kritikave për ndikimin e saj te të rinjtë dhe mënyrën e menaxhimit të të dhënave personale.