Në një reagim të fortë në rrjetet sociale, ish-deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe më pas e Partisë Socialdemokrate, Shqipe Pantina, ka hedhur akuza serioze ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e përshkruar si një politikan që “ushqehet politikisht nga shkelja e ligjit” dhe që sipas saj, nuk ka respektuar kurrë rendin juridik të vendit.
Pantina, që për një kohë të gjatë ka qenë pjesë e të njëjtës lëvizje me Kurtin, e njeh mirë mënyrën e tij të të vepruarit, prandaj fjalët e saj nuk mund të merren si thjesht kritika nga opozita, por si një dëshmi e brendshme që i jep peshë pretendimeve për sjellje autoritare dhe të paligjshme të liderit të Vetëvendosjes.
Ajo shkruan:
“Albin Kurti, si politikan, e ka dëshmuar me dhjetëra herë se nuk është për rend e ligj. Në fakt, ai ndihet mirë dhe është rritur politikisht vetëm duke e shkelur ligjin. Prandaj, ai nuk e ka problem mosrespektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, sepse edhe në të kaluarën ka gjetur mbështetje për veprimet e tij të kundërligjshme. Pyetja është: edhe sa kohë një popull do t’i nënshtrohet një njeriu?”
Ky koment nënkuptohet si një akt akuze e drejtpërdrejtë ndaj një kryeministri që shpesh ka pretenduar se sundimi i ligjit është boshti i qeverisjes së tij. Por kur këto fjalë vijnë nga një “ish-bashkëluftëtare politike”, ato marrin dimensionin e një denoncimi të brendshëm, që shpërfaq hipokrizinë dhe standardet e dyfishta në sjelljen publike të Kurtit.
Dështimi për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk është rast i izoluar. Ai është vetëm maja e ajsbergut në një sërë veprimesh që kanë sfiduar jo vetëm etikën politike, por edhe rendin kushtetues. Qasja e Kurtit ndaj ligjit dhe institucioneve të pavarura po ngrit alarme të vazhdueshme, brenda dhe jashtë vendit, për rrezikun e konsolidimit të një pushteti autoritar të fshehur pas retorikës populiste.
Ndërsa qytetarët përballen me krizë ekonomike, migrim të madh, dhe rënie të besimit në drejtësi, pyetja që shtroi Pantina merr kuptim më të thellë: Edhe sa kohë do të tolerohet arroganca politike dhe përçmimi i ligjit nga njeriu që një ditë premtoi drejtësi për të gjithë?

