Shkruan: Ndue Ukaj
Ishte Ibrahim Rugova, udhëheqësi më i përndritur i shqiptarëve, ai që në dhjetorin e vitit 1986, kërkonte “më shumë demokraci për Kosovën”, sepse, kishte besim të palëkundur në vlerat ushqyese të demokracisë, në një kohë kur demokracia ende ishte kontinent i paarritshëm për krejt Europën Juglindore.
Vlerat për të cilat Rugova u angazhua, në një kohë të pakohë, sot janë kthyer kryengulthi, dhe në vend të tyre, shfaqen njerëz me maska e pa maska, por që në thelb promovojnë mendësinë e maskave.
Duket sikur krejt kjo që po ngjet me ne, ka një përkim tragjik me mendësinë e lëvizjes haxhiqamiliste, natyrisht, në trajtë e formë tjetër.
Këtë fenomen e ka kuptuar dhe shpjeguar mjaft mirë Ismail Kadare, kur thoshte se “Haxhi Qmailët e sotëm janë të palodhur dhe ndryshe nga banditi i dikurshëm analfabet, këta të sotmit, janë edhe më të rrezikshëm.”
Pra, meqë këta të sotmit, dinë shkrim lexim, kamuflohen, dhe nuk dalin ta luftojnë shtetin hapur, si banditët e dikurshëm, këta e gërryejnë përditë, siç po ngjet me vendin tonë, ku ka pllakosë mjerimi.
Një proverb thotë se “maska e mbajtur gjatë në fytyrë e zëvendëson fytyrën.” Në fakt, ky proverb i shpjegon thelbësisht problemet e shoqërisë sonë me profilet e rreme dhe maskat e mbajtura gjatë në fytyrë, që e kanë cenuar rënd demokracinë tonë, duke e bërë të palëvizshme.
Problemet me profilet e rreme, pra me maskat e mbajtura gjatë në fytyrë, lidhen me pazotësinë tonë, ose, me mos dëshirën për ta luftuar këtë shpirt anarkist, propagandën e demagjogjinë, me mjetin më të mirë që ka njerëzimi: kulturën demokratike.
Sot, në Kosovën e Ibrahim Rugovës e të mijëra idealistëve, mund të flitet për gjithçka, por jo për kulturë demokratike e atmosferë mendore politike.
Mund të flitet për dredhi politike.
Për mashtrime ordinere politike.
Për maska politike që kanë zëvendësuar fytyrën reale të politikës.
Për njerëz që parimet e perimet nuk lodhen t’i dallojnë.
Pra, problemi me profilet e rreme është filli i një lëmshi të madh, që Kosovën po e gërryen, në emër të disa kauzideve patriotike.
Problemet reale politike të vendit tonë, janë të lidhura nyje me figurat e shpërfytyruara politike, me lulegjelat, që janë në maje të politikës, të veshur me pushtet, por që, vite e vite me radhë kanë jetuar me maska në fytyrë, duke e fshehur fytyrën e tyre të vërtetë.
Të njëjtit, një ditë besojnë në bashkimin kombëtar, një ditë jo.
Një ditë besojnë te Amerika, një ditë jo.
Një ditë besojnë të vlerat e demokracisë, një ditë i shkelin me dy këmbë.
Një ditë janë europianë, një ditë joeuropianë të tërbuar.
Të njëjtit, edhe po t’i pështyj ndokush – pra t’ua thotë të vërtetën në fytyrë – se nuk skuqen e as nuk ndiejnë nevojë për pendim, zgërdihen dhe e çojnë kryet përpjetë kah qielli, gjejnë një arsyetim, dhe thonë: po bie shi.
Sepse, janë të armatosur deri në dhemb me gënjeshtra dhe mashtrime dhe si mendje të cekëta, u pëlqejnë ujërat e cekëta, ku mund të notojnë lehtësisht.
Sikur e gjithë kjo të ishte pjesë e një atmosfere teatri do të krijoheshin tragjikomedi të jashtëzakonshme, por, meqë këto nuk janë lëndë për teatër (ndonëse janë edhe për teatër), por zhvillime që cenojnë drejtpërdrejt jetën reale, këto shfaqje me maska, ditën e natën, janë tragjedi të mëdha të këtij vendi të vogël, që ka nevojë për të vërtetën e për njerëz me shpirt demokratikë, si toka e tharë për shi.
Këto ditë, teksa po komentonim zhvillimet e gjithmbarshme në vendin tonë, me një mik timin, ai më tha:
-Kjo nuk është politikë, ky është ferr.
Në fakt, ferri politik nuk ka sesi të jetë ndryshe.
Por, për dallim prej “Ferrit” të Dantes, ky i yni ka mbetur pa udhërrëfyes, që tregon si dilet prej këtyre rrathëve të tmerrshme ku po shkrumbohet jeta e këtij vendi.
Dhe në një atmosferë kaq të shpërfytyruar mendore, i djathti brenda natës vishet me petkat e të majtit e kukuris si gjeli maje plehu.
Prandaj, kjo nuk është politikë, ky është ferr i vërtetë,- ka të drejtë miku tim.
Në vendin tonë, që një kohë të gjatë janë hequr ato vijat që e ndajnë normalen prej normales, të vërtetën prej gënjeshtrës dhe në këtë mishmash paudhësish, toka e së vërtetës kërkohet shumë rrallë, ose, nuk kërkohet fare.
Fytyra politike e kohës sonë, nuk e ka kuptimin etik, si një kategori që vetërregullon standardet mes të mirës e të keqes, por si një mundësi për të ndërruar maskat, sa herë ndërrojnë motet.
Dhe në këtë atmosferë të ndytë, dëgjojmë kukurisje të gërditshme, ku, në ballë, si gjelat maje plehu rrinë ata që i kanë mbajtur gjatë maskat në fytyrë, maskat që iu kanë zëvendësuar fytyrën e vërtetë, prandaj të tillët besojnë në propagandë e demagogji. Ama këtë kategori maskash politike, historia i skajon diku si modele të këqija haxhiqamiliane, përballë të cilëve rrinë modelet e mira, udhëndriçuese – si figura e Ibrahim Rugovës.

