Mos e mbani kurrë temperaturën në shtëpi nën 28°C, veçanërisht nëse ka të moshuar apo persona me probleme në zemër”, këshillon pneumologu italian Claudio Micheletto.
Me ardhjen e vapës dhe verës, nis edhe përdorimi – dhe shpeshherë keqpërdorimi – i kondicionerëve dhe ventilatorëve për t’iu shmangur nxehtësisë dhe djersës. Por ekspertët paralajmërojnë: përdorimi i gabuar ose i tepruar i këtyre pajisjeve mund të ndikojë negativisht në shëndetin e sistemit respirator.
“Nëse jashtë janë 39 gradë dhe kthehemi në shtëpi për të kërkuar freski – shpjegon Claudio Micheletto, drejtor i Njësisë së Pneumologjisë në Spitalin Universitar të Veronës dhe president i Shoqatës së Pneumologëve Spitalorë në Itali – ajri i kondicionuar nuk duhet të jetë shumë i ftohtë, sepse përbën rrezik për shëndetin e të gjithëve, të rinj e të moshuar. E njëjta gjë vlen edhe për ventilatorin, sidomos nëse vendoset shumë afër dhe jemi të djersitur apo të nxehtë”.
Çfarë rreziqesh paraqet?
Sipas Micheletto, temperatura brenda ambienteve nuk duhet të ketë diferencë më të madhe se 2-3°C me atë të jashtmen. Ndryshimet e menjëhershme nga nxehtësia në të ftohtë pa kohë të mjaftueshme përshtatjeje, mund të çojnë në probleme si:
ftohje të zakonshme,
kollë dhe irritim të rrugëve të frymëmarrjes,
rrezik të shtuar për infeksione si legjioneloza – sidomos nëse sistemet e kondicionimit nuk janë të pastruara dhe mirëmbajtura.
“Këto ditë – thekson Micheletto – po përballemi me sëmundje të zakonshme të sezonit: laringotraheit, bronkopneumoni dhe në disa raste, edhe pneumoni. Madje, kemi parë raste të infeksioneve nga legionella – një bakter që gjendet në mjedise të lagështa, dhe që mund të përhapet përmes sistemeve të ajrit të kondicionuar të papastruar”, shkruan Today, përcjell Informim.net.
Temperatura ideale brenda shtëpisë
Eksperti italian këshillon që temperatura në ambiente të brendshme të mos ulet kurrë nën 28°C, veçanërisht nëse në shtëpi ka persona të moshuar apo me sëmundje të zemrës.
“Nuk duhet të djersitemi, por as të ngrijmë – thotë Micheletto. – 28 gradë është temperatura ideale, sepse në këtë nivel largohet lagështia, e cila e bën më të vështirë frymëmarrjen”./