Në Forumin ndërkombëtar të Dubrovnikut 2025, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, ka dërguar një mesazh të fuqishëm për rëndësinë gjeostrategjike të Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se rajoni nuk mund të trajtohet më si periferi, por si një pjesë integrale e të ardhmes evropiane.
Duke folur përpara përfaqësuesve të nivelit të lartë nga Evropa, SHBA-ja, Gjiri Persik, Brazili dhe Afrika, Hasani theksoi se koha e pasigurive dhe rivaliteteve gjeopolitike kërkon angazhim të fortë dhe vendime të guximshme.
“Ballkani Perëndimor nuk është më një cep i kontinentit. Është pjesë thelbësore e së ardhmes strategjike të Evropës. Në kohë të paqarta, besimi, transparenca dhe transformimi nuk janë më zgjedhje – janë domosdoshmëri,” deklaroi ministri Hasani.
Ai theksoi se Shqipëria është e përkushtuar ndaj procesit të integrimit evropian, duke kujtuar se tashmë janë hapur katër grupkapituj negociues me Bashkimin Evropian – përfshirë kapitujt themelorë dhe tregun e brendshëm. Sipas tij, rruga drejt BE-së është jo vetëm strategjike dhe e pakthyeshme, por edhe e mbështetur fuqimisht në reforma të qëndrueshme.
“Shqipëria nuk është një konsumatore e sigurisë – është kontribuuese. Nuk presim – po ecim përpara,” tha Hasani me vendosmëri.
Ministri paralajmëroi se vonesat e zgjatura në procesin e zgjerimit mund të krijojnë boshllëqe të rrezikshme, të cilat shfrytëzohen nga aktorë autoritarë dhe jodemokratikë. Ai mirëpriti Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor si një mundësi konkrete për të përshpejtuar procesin e integrimit dhe për të ofruar përfitime të prekshme për qytetarët e rajonit.
“Evropa nuk do të jetë e plotë pa Ballkanin Perëndimor. Dhe Ballkani Perëndimor nuk do të jetë i plotë pa një vend të denjë në familjen evropiane,” përfundoi Hasani.
Pjesëmarrja e Shqipërisë në Forumin e Dubrovnikut vjen në një moment kur sfidat globale dhe rajonale kërkojnë një qasje më të koordinuar, më gjithëpërfshirëse dhe më të vendosur për të ndërtuar një Evropë të bashkuar, të sigurt dhe të qëndrueshme.