SBASHK: Emigrimi po boshatis shkollat – rrezikojmë të mbesim pa mësimdhënës e nxënës

by informim peje

Nënkryetarja e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Vjollca Shala, ka ngritur shqetësimin për largimin e vazhdueshëm të mësimdhënësve dhe nxënësve nga shkollat e Kosovës. Ajo thekson se emigrimi drejt vendeve evropiane po ndodh për shkak të kushteve më të mira të jetesës dhe pagesave më të larta.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Shala paralajmëroi se nëse trendi aktual vazhdon, shumë shkolla në vend rrezikojnë të mbesin pa staf arsimor dhe pa nxënës.

banner

“Shumë shqetësuese janë informacionet që po i marrim nga terreni për largimin e nxënësve, por njëkohësisht edhe të mësimdhënësve nga shkollat e Kosovës. Shumica prej tyre po emigrojnë në vendet evropiane, ku gjejnë kushte më të mira për jetesë dhe pagesa më të mira. Kjo është shumë shqetësuese, pasi shkollat po boshatisen si nga nxënësit, ashtu edhe nga mësimdhënësit.”

Sipas saj, shumë mësimdhënës janë të gatshëm të punojnë jashtë vendit, pasi përvojën profesionale tashmë e kanë, dhe mjafton të mësojnë gjuhën e shtetit pritës.

“Nëse ky trend vazhdon, rrezikojmë që në të ardhmen shkollat tona të mbesin pa mësimdhënës. Gjendja politike, përfshirë edhe moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës, po krijon pasiguri për të gjithë – si për mësimdhënësit, ashtu edhe për nxënësit,” shtoi Shala.

Ajo kritikoi institucionet shtetërore për moskrijimin e kushteve të përshtatshme në sistemin arsimor dhe për vonesat në funksionalizimin e Kuvendit, duke theksuar se liberalizimi i vizave ka lehtësuar më tej ikjen e familjeve drejt vendeve evropiane.

“Duke mos pasur siguri në shkolla, mësimdhënësit po gjejnë kushte dhe pagesa më të mira jashtë vendit. Edhe nxënësit po largohen së bashku me familjet e tyre, për një jetë më të mirë në Evropë. Liberalizimi i vizave e ka lehtësuar këtë proces. Këtë vit, shumë familje po largohen për ta provuar jetën diku tjetër, dhe kur gjejnë kushte më të mira, nuk kthehen më,” tha ajo.

Shala përmendi gjithashtu edhe mospërmbushjen e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për kompensimin e përvojës së punës, si dhe vonesat në nënshkrimin e kontratës kolektive me Ministrinë e Arsimit.

“Shteti është përgjegjës për krijimin e kushteve më të mira për nxënësit dhe mësimdhënësit. Kanë kaluar disa muaj nga zgjedhjet dhe Kuvendi ende nuk është konstituuar. Kemi vendime të Gjykatës Kushtetuese për përvojën e punës që parashohin pagesën prej 0.5% për çdo vit shërbimi, por aktualisht po paguhet vetëm 0.25%. Kjo po i dëmton mësimdhënësit me rreth 4% të pagës, në një kohë me çmime të larta për jetesë. Po ashtu, draft-kontrata kolektive me Ministrinë e Arsimit vazhdon të mbetet e panënshkruar,” përfundoi ajo.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy