Në një dëshmi që ka ngritur pikëpyetje mbi bazueshmërinë e analizave mjeko-ligjore të paraqitura në procesin gjyqësor ndaj Kadri Veselit dhe të akuzuarve të tjerë, ekspertja Catherine Nicola Black ka deklaruar se nuk ka ekzaminuar asnjë nga viktimat, por se raporti i hartuar është mbështetur në deklaratat e tyre dhe literaturën shkencore.
“Ne nuk i kemi ekzaminuar asnjë prej personave. Kjo është e vërtetë”, u shpreh ajo gjatë pyetjeve të avokatit të Veselit, Rodney Dixon, duke shtuar se konstatimet janë rezultat i krahasimit të deklarimeve me simptomat e njohura nga literatura psikologjike.
Sipas Black, dokumentet që janë përdorur në këtë proces nuk janë të fokusuara në gjendjen shëndetësore të viktimave, por përmbanin informacion që përputhej me studime ekzistuese.
“Unë nuk mund të flas për këta persona nga pikëpamja mjekësore apo shëndetësore”, sqaroi ajo, duke theksuar se konkluzionet e tyre janë më tepër një vlerësim teorik se sa klinik.
Ndërkohë, ekspertja tjetër, Karin Duhne-Prinsen, ka theksuar se disa viktima kishin raporte mjekësore, por se ekspertët nuk janë në pozicion për të vlerësuar rëndësinë juridike të atyre dokumenteve.
“Nuk na takon neve të vendosim se çfarë peshe u duhet dhënë kartelave mjekësore në një kontekst juridik”, deklaroi ajo, duke shtuar se kanë informuar mbrojtësin e viktimave për kufizimet e tyre.
Në vazhdim, prokurorja Sarah Clanton parashtroi pyetje që lidhen me përjetimet traumatike të viktimave, duke theksuar rëndësinë e dëmeve psikologjike, qoftë edhe për viktimat e tërthorta.
Këto deklarata janë bërë gjatë seances në Dhomat e Specializuara në Hagë, dhe pritet të ndikojnë në mënyrën se si gjykata do t’i trajtojë provat që lidhen me dëmet e pretenduara nga viktimat. Rasti mbetet në vëmendje të gjerë publike, për shkak të natyrës së ndjeshme dhe figurave të larta të përfshira në proces.