Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka kërkuar që Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli të kompensojnë Iranin për dëmet e shkaktuara nga sulmet e muajit qershor, duke vendosur një sërë kushtesh për rifillimin e bisedimeve rreth programit bërthamor të vendit.
Në një intervistë për Financial Times, Araghchi tha se sulmet ndodhën në mes të negociatave dhe kërkoi sqarime dhe garanci nga pala amerikane.
“Ata duhet të shpjegojnë pse na sulmuan gjatë negociatave dhe të sigurohen që kjo të mos ndodhë sërish në të ardhmen,” deklaroi ai.
Ministri iranian theksoi se SHBA-të duhet të ndërmarrin “hapa konkretë për rindërtimin e besimit”, përfshirë kompensimin financiar për dëmet e shkaktuara, ndonëse nuk dha detaje mbi shumën apo formën e kompensimit.
Sipas artikullit, Araghchi dhe i dërguari special amerikan, Steve Witkoff, kanë shkëmbyer mesazhe gjatë dhe pas përshkallëzimit ushtarak mes Iranit dhe Izraelit. Araghchi theksoi nevojën për të arritur një “zgjidhje të dobishme për të dyja palët”, për t’i dhënë fund tensioneve të zgjatura mbi programin bërthamor të Teheranit.
Këto komente vijnë në një kohë kur Irani po tregon një qasje më të ashpër në raport me Perëndimin, duke kushtëzuar çdo dialog të ardhshëm me garanci të qarta sigurie dhe respektim të sovranitetit të tij gjatë procesit negociator.