Xavi Simons është shumë pranë kalimit te Chelsea. Sipas raportimeve të gazetarit të njohur Nicolo Schira, mesfushori ofensiv i RB Leipzig është gati të firmosë një kontratë afatgjatë me gjigantin londinez.
Chelsea dhe RB Leipzig kanë arritur marrëveshje për transferimin e 22-vjeçarit holandez, i cili do t’u kushtojë “Bluve” rreth 80 milionë euro. Simons pritet të firmosë një kontratë shtatëvjeçare, që do ta mbajë në Stamford Bridge deri në vitin 2032, me opsion për zgjatje edhe për një vit tjetër, deri më 2033.
Simons është cilësuar si një prej talenteve më të mëdhenj të Evropës dhe ka qenë në radarët e shumë klubeve elitare pas performancave mbresëlënëse në Bundesliga. Gjatë sezonit të kaluar me Leipzig, ai realizoi 13 gola dhe dha 9 asistime në 39 paraqitje, duke u bërë një titullar i padiskutueshëm.
Fillimisht pjesë e PSG-së, Simons iu bashkua Leipzigut në janar me një marrëveshje prej 50 milionë eurosh, pas një periudhe të shkëlqyer si i huazuar. Tani, karriera e tij pritet të vazhdojë në Premier League, në një kapitull të ri me Chelsean.