Një analizë kritike e politikave perëndimore ngre një pyetje thelbësore: si do të reagonte bota nëse një fuqi si Kina apo India do të sulmonte një enklavë, duke shkaktuar mbi 60,000 viktima civile – shumë prej tyre fëmijë – dhe do të përdorte urinë si mjet lufte?
Analiza thekson se, ndryshe nga standardet që aplikohen ndaj vendeve të tjera, Perëndimi vazhdon ta mbështesë Izraelin, si politikisht ashtu edhe ushtarakisht, pavarësisht përmasave shkatërrimtare të ofensivës në Gaza pas 7 tetorit.
Qasja izraelite ndaj Gazës shihet nga shumë analistë si një formë ndëshkimi kolektiv ndaj popullsisë palestineze, që shkon përtej objektivit zyrtar të neutralizimit të Hamasit. Në këtë kontekst, akuzat ndaj kryeministrit Benjamin Netanyahu për manipulim të luftës në funksion të mbijetesës politike dhe për të kënaqur aleatët e tij më ekstremistë brenda qeverisë janë shtuar.
Në arenën ndërkombëtare, reagimi ka qenë i kufizuar. Disa liderë perëndimorë kanë njohur simbolikisht shtetin palestinez, ndërsa ndihma humanitare për Gazën mbetet minimale, dhe presioni real ndaj Izraelit për të ndalur luftën është thuajse inekzistent. Edhe ish-presidenti Donald Trump pranoi së fundmi se në Gaza ekziston “uri reale”, por kjo deklaratë nuk është shoqëruar me ndonjë masë konkrete.
Kritikat ndaj Perëndimit janë të ashpra: mungesë qëndrueshmërie morale, standard të dyfishta në raport me krizat globale dhe një perceptim i përhapur në Jugun Global se reagimet ndërkombëtare ndërlidhen me identitetin etnik apo fetar të viktimave.
Autori i analizës përfundon se situata në Gaza përbën një katastrofë humanitare të përmasave të papara në dekada, ndërsa vendet perëndimore vazhdojnë të kufizohen në gjeste diplomatike, pa ndërmarrë veprime reale për ndalimin e gjakderdhjes./ABC News