Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka reaguar ndaj raportimeve mediatike që pretendojnë se kryeministri Albin Kurti është paraqitur në Polici për të dhënë deklaratë lidhur me rastin e Faton Klinakut, ish-udhëheqës i OVL-UÇK-së.
Sipas Kryeziut, kjo nuk është e vërtetë. Ai sqaroi se procedura e intervistimit është zhvilluar në ambientet e Kryeministrisë, ku Kurti ka dhënë deklaratën e tij para zyrtarëve policorë.
“Kryeministri Kurti deklaratën e tij para zyrtarëve policorë e ka dhënë në zyrën e tij, e jo në Polici, siç pretendojnë në tituj dhe shtrembërojnë informacionin portalet,” ka shkruar Kryeziu.
Rasti lidhet me aktakuzën e ngritur më 1 gusht 2025 ndaj Faton Klinakut, i cili akuzohet për kanosje ndaj kryeministrit Kurti. Sipas Prokurorisë Speciale, Klinaku ka postuar më 29 dhe 30 gusht 2023 mesazhe kërcënuese në Facebook, duke përfshirë deklaratën: “Më parë e vrasë Albin Kurtin se sa t’ia lëshoj rrugën e të iki nga Kosova.”
Ndërkohë, Kurti ka refuzuar të paraqitet në Prokurorinë Speciale për një rast tjetër që lidhet me rezervat shtetërore, duke kërkuar që intervistimi të bëhet në Kryeministri.