Cakolli: Seanca për kryetarin e Kuvendit mund të thirret sapo të publikohet aktgjykimi i plotë

by engel

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka deklaruar se seanca e ardhshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit mund të mbahet menjëherë pas publikimit të plotë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Meqë Gjykata e ka vazhduar masën e përkohshme deri në publikim dhe hyrje në fuqi të aktgjykimit, besoj që, sipas praktikës së mëparshme, publikimi mund të ndodhë brenda një deri në dy javë. Nëse aktgjykimi del, për shembull, të mërkurën, seanca mund të thirret të enjten dhe të fillojë cikli 48-orësh,” tha Cakolli në emisionin “60 Minuta” në KTV.

banner

Sipas tij, me vendimet e 26 qershorit dhe 8 gushtit, Gjykata Kushtetuese ka kaluar nga doktrina që i jep partisë fituese të zgjedhjeve të drejtë absolute për të propozuar dhe bllokuar, drejt thelbit të sistemit parlamentar – formimit të shumicës. Kjo, sipas tij, detyron partitë të kërkojnë konsensus.

“Gjykata vazhdon ta njohë të drejtën ekskluzive të partisë fituese për të propozuar kandidat për kryetar të Kuvendit, por nuk lejon që kjo e drejtë të shndërrohet në bllokadë përmes një kandidature pa mbështetje,” shtoi ai.

Ai theksoi se votimi i hapur nuk ishte temë kontestuese, pasi kjo ishte sqaruar më 26 qershor, por mënyra e interpretimit të saj nga Lëvizja Vetëvendosje ka detyruar Gjykatën që të trajtojë çështjen në një nivel më të thelluar.

“Gjykata kishte shpresuar që palët do të sillen me racionalitet pas aktgjykimit të parë, por siç po shihet, kjo nuk ndodhi, dhe kësaj here Gjykatës iu desh të ndërhyjë me më shumë vendosmëri,” tha Cakolli.

Ai vuri në dukje se pasojat juridike në rast të mosrespektimit të afateve ende mbeten të paqarta dhe se ato mund të sqarohen në një vendim të ardhshëm të Gjykatës Kushtetuese, në bazë të kërkesës së paraqitur nga presidentja Vjosa Osmani.

Vendimi i fundit i Gjykatës, i publikuar të premten, përcakton që kryetari i Kuvendit duhet të zgjidhet me votim të hapur brenda një afati 30-ditor. Gjithashtu, saktësohet se i njëjti kandidat mund të votohet maksimumi tre herë, ndërsa të gjithë deputetët janë të detyruar të marrin pjesë në votim.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy