Një zbulim i rrallë arkeologjik ka ndodhur në Parkun Arkeologjik “Ulpiana”, ku është identifikuar mbishkrimi i dytë i perandorit Justinian, duke konfirmuar me saktësi vitin e rindërtimit të qytetit antik.
Profesori francez Christophe Goddard, që udhëheq ekipin e arkeologëve nga Franca, Italia dhe Kosova, tha se mbishkrimi i parë, i gjetur para dy vitesh, datonte rindërtimin e qytetit midis viteve 535–545. Zbulimi i ri përcakton pikërisht periudhën mes janarit dhe prillit të vitit 545, kur u përfundua rindërtimi i bazilikës kryesore të qytetit “Justiniana Secunda”.
Qyteti, ndërtuar rreth një kilometër në lindje të Ulpianës pas tërmetit shkatërrimtar të vitit 518, shtrihet në një sipërfaqe prej 19 hektarësh dhe ka në qendër një kishë madhështore 79 metra të gjatë e 23 metra të gjerë, një nga më të mëdhatë në provincat e kohës.
“Është jashtëzakonshme të gjesh një mbishkrim të Justinianit, por të gjesh dy në të njëjtën ndërtesë është e pabesueshme,” tha Goddard për KosovaPress, duke shtuar se këto janë dëshmi të rralla në botën romake.
Projekti i gërmimeve, i nisur në vitin 2017, financohet nga Bashkimi Evropian, Ministria e Jashtme e Francës, Ministria e Kulturës e Kosovës dhe mbështetja e Qeverisë së Kosovës, që ka mundësuar edhe blerjen e tokës ku ndodhet siti arkeologjik.
Arkeologu Ilir Culaj u shpreh se ky zbulim jo vetëm pasuron historinë e Ulpianës dhe të periudhës së Justinianit, por shërben edhe si mundësi trajnimi për studentët e antropologjisë, duke lidhur kërkimin shkencor me formimin e brezave të rinj të arkeologëve.