Analisti Nexhmedin Spahiu ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Asamblesë së Komunës së Mitrovicës së Veriut për ndryshimin e emrave të rrugëve në pjesën veriore të qytetit. Sipas tij, ndarja aktuale — gjysma me emra shqiptarë dhe gjysma me emra serbë — injoron plotësisht komunitetin boshnjak, i cili ka një prani të qëndrueshme në qytet, përfshirë lagjen e njohur si Mahalla e Boshnjakëve.
Spahiu e cilësoi këtë mungesë përfaqësimi si një akt të papranueshëm dhe një formë disrespekti institucional ndaj një komuniteti etnik që jeton në Mitrovicë.
Ai kritikoi publikisht kryetarin e komunës Erden Atiq, kryeasamblistin Negjat Uglanin, nënkryetarin Skender Sadiku dhe ministrin për Komunitete dhe Kthim, Elbert Krasniqi, duke e quajtur situatën “turp”.
“Asnjë emër boshnjak, edhe pse këtu është një mahallë e tërë që quhet Mahalla e Boshnjakëve. Ky është disrespekt ndaj këtij komuniteti etnik që jeton në këtë qytet,” shkroi Spahiu në reagimin e tij.
Vendimi për emërtimet e reja, sipas raportimeve mediatike, ka zëvendësuar emrat e mëparshëm të rrugëve që lidhen me të kaluarën serbe, por pa reflektuar një përfshirje të barabartë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në qytet.