Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas publikimit të letrës së BE-së drejtuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ku shprehen pakënaqësi për mosrespektimin e aktgjykimit të Gjykatës Supreme të 25 qershorit.
Bajrami ka thënë se me këtë veprim, Bashkimi Evropian ka vendosur të mos e takojë Kurtin dhe asnjë deputet tjetër që njëkohësisht mbajnë edhe pozita ekzekutive në qeverinë në detyrë.
“Albin Kurti me shpejtësi po e çon drejt kolapsit Shtetin e Kosovës. Sot u publikua edhe letra e nënshkruar nga ambasadori i BE-së në Kosovë që izolon deputetin Albin Kurtin dhe gjithë shkelësit e tjerë të ligjit e Kushtetutës që po mbajnë kundërligjshëm pozitat qeveritare”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka rikujtuar se më 8 maj LDK ka dorëzuar në Prokurorinë Speciale 17 kallëzime penale ndaj deputetëve që ushtrojnë edhe pozitë ministri, duke shtuar se pret veprim të institucioneve të drejtësisë.
Sipas saj, dështimet e Kurtit për të formuar Qeverinë dhe për të arritur marrëveshje politike kanë bllokuar institucionet dhe kanë ngarkuar vendin me krizë të thellë.
“Bllokuesi, dështuesi dhe fajtori për gjithë këtë situatë është Albin Kurti dhe Vetëvendosja”, shkroi Bajrami.