Ish-kryeministri Isa Mustafa ka reaguar ndaj vendimit të Kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, i cili e konsideroi të përfunduar seancën konstituive edhe pa zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb.
Në një prononcim për GazetaBlic, Mustafa e cilësoi këtë veprim si antikushtetues dhe në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit.
Mustafa: “Kuvendi nuk mund të quhet i konstituuar pa përmbushjen e plotë të kritereve kushtetuese”.
Duke iu referuar nenit përkatës të Kushtetutës, Mustafa theksoi se konstituimi i Kuvendit kërkon zgjedhjen e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve — përfshirë përfaqësues nga komunitetet joshumicë serb dhe joserb.
“Pa u përmbushur këto zgjedhje, vetëm një diletant ose një i manipuluar, që vepron kundër rendit kushtetues, mund të konstatojë se Kuvendi është konstituar,” deklaroi ai.
Mustafa paralajmëroi për rreziqet që sjellin vendimet të cilat nuk respektojnë rendin kushtetues. “Kosova nuk guxon t’i nënshtrohet politikës dhe logjikës ‘me kushtetutë e pa kushtetutë’, sepse e kemi përjetuar këtë dhe e dimë ku mund të na çojë,” tha ai, duke bërë thirrje për respektim të plotë të normave ligjore dhe kushtetuese.
Vendimi i Bashës për të mbyllur seancën konstituive pa zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb ka shkaktuar reagime të shumta në skenën politike, duke rihapur debatin mbi legjitimitetin e konstituimit dhe funksionimin e Kuvendit të Kosovës.

