Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se kjo parti po e vazhdon krizën politike në vend.
“Po e shihni që tallja me Kuvendin dhe qytetarët nga VV po vazhdon. Përkundër faktit që ne mundësuam një proces që do të na nxirrte nga situata, VV qartë nuk e ka këtë qëllim. E ka qëllim që ta vazhdojë krizën. Kjo do të sjellë pasoja që janë të paparashikueshme. Nuk varet nga interpretimi i kryetarit të Kuvendit se kur përfundon seanca konstituive, ajo është e qartë sipas Rregullores së Kuvendit. Asnjëherë në historinë e parlamentarizmit të Kosovës nuk ka ndodhur që partia që ka fituar zgjedhjet me kthyer në një Big Brother Kuvendin e Kosovës, për me pa se kush po eliminohet e kush s’po eliminohet, kush po fiton e kush po humb”, ka deklaruar Krasniqi.

