Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka përcjellë një urim për nxënësit, prindërit dhe mësuesit, duke theksuar rëndësinë e kësaj dite për komunitetin.
“Mirëmëngjesi, Lipjan! Sot, 1 Shtatori, dita e fillimit të vitit të ri shkollor. Të dashur nxënës, prindër dhe mësues, urime fillimi i vitit të ri shkollor!”, ka shkruar Ahmeti.
Ai tha se 1 Shtatori gjithmonë sjell gëzim, emocione dhe ëndrra të reja, duke e cilësuar këtë ditë si një hapësirë të re mundësish për gjeneratat e reja.
“Le të jetë një vit ku prindërit gëzohen me arritjet e fëmijëve, mësuesit ndihen krenarë për punën e tyre dhe nxënësit të pasurohen me dije në rrugëtimin e tyre. Suksesi i tyre është shpresa dhe forca jonë e përbashkët për një të ardhme më të mirë,” ka theksuar kryetari i Lipjanit.
Fillimi i vitit të ri shkollor në Lipjan është shoqëruar me aktivitete të ndryshme nëpër shkolla, ndërsa institucionet komunale kanë garantuar se janë ndërmarrë të gjitha masat për një nisje të mbarë të procesit mësimor.