Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përcjellë urimet e tij për të gjithë nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2025/2026.
Ai theksoi se dita e parë e klasës së parë është një moment i veçantë për çdo fëmijë dhe prind, duke bërë të ditur se këtë vit afër 25 mijë nxënës në gjithë vendin kanë nisur rrugëtimin e tyre shkollor.
Së bashku me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, Kurti vizitoi shkollën fillore “Hasan Prishtina” në Prishtinë, ku u takua me nxënësit e klasës I/1 dhe mësuesen e tyre, Drita Bashota.
“Këta fëmijë sot takojnë mësuesit e tyre, fillojnë miqësitë e para me shokët e shoqet e klasës dhe nisin rrugën e gjatë të dijes. I inkurajoj të gjithë mësimdhënësit që të jenë sa më afër nxënësve, sepse në moshat e hershme dashuria e mësuesit është po aq e vlefshme sa ajo e prindërve”, tha Kurti.
Ai shtoi se dashamirësia dhe përkujdesja ndaj fëmijëve janë faktorë të rëndësishëm për zhvillimin dhe edukimin e tyre, duke uruar të gjithë nxënësit një vit të mbarë e të suksesshëm shkollor.