Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka prezantuar sot pesë projektet e tij kryesore për kryeqytetin, duke premtuar ndryshim të shpejtë dhe të dukshëm në infrastrukturë, siguri dhe cilësinë e jetës.
Me moton “Mirëdita, Prishtinë”, Ismaili tha se qytetarët meritojnë zgjidhje konkrete, jo vetëm premtime.
Ai shpalosi planin e tij në pesë fusha kyçe:
Trafiku i zhbllokuar brenda 18 muajsh – 100 autobusë të rinj, 60 semaforë shtesë dhe pesë parkingje të tipit Park & Ride.
Nga betoni te komuniteti – zero leje të reja ndërtimi në gjashtë muajt e parë, një park jo më larg se 300 metra nga çdo shtëpi dhe instalimi i 400 ashensorëve të rinj në ndërtesa.
Rrugë të sigurta 24/7 – 1,000 rrugë me ndriçim shtesë, 450 km trotuare të reja, lagje pa qen endacakë dhe 200 oficerë sigurie në shkolla e lagje.
Hapja e Sheshit “George Bush” – menjëherë në javën e parë të mandatit.
Lagje të pastra 24/7 – 60 kamionë të rinj për mbeturina, 2,100 kontejnerë të mençur dhe deponi speciale për mbeturinat voluminoze.
Ismaili theksoi se plani i tij është i matshëm dhe i realizueshëm, duke u zotuar se do t’i japë fund pritjeve dhe zhgënjimeve të qytetarëve të kryeqytetit.
“Prishtina ka nevojë për veprime të shpejta dhe konkrete. Brenda pak muajsh qytetarët do të shohin ndryshimin,” deklaroi kandidati i PDK-së.
Ky prezantim vjen në kuadër të fushatës zgjedhore, ku sfida për drejtimin e kryeqytetit pritet të jetë ndër më të fortat në vend.