Në Forumin Strategjik të Bledit, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në NATO, Matthew G. Whitaker, u ndal në zhvillimet politike në Serbi dhe në entitetin e Republikës Srpska, duke paralajmëruar se parandalimi i tensioneve në Ballkanin Perëndimor mbetet një përparësi kryesore për Uashingtonin dhe aleatët e saj.
“Po e monitorojmë shumë nga afër gjithçka që po ndodh si në Republikën Srpska ashtu edhe në Serbi. Aktualisht jemi të fokusuar që situata të mos degradojë në një konflikt potencial rajonal,” tha Whitaker, duke theksuar se SHBA dhe NATO janë të përgatitura të ndërhyjnë si përmes pranisë së forcave të sigurisë, ashtu edhe përmes presionit diplomatik.
Diplomati amerikan nënvizoi se stabiliteti në Ballkan është një objektiv i përbashkët i NATO-s dhe Bashkimit Evropian, të cilët kanë, sipas tij, përgjegjësinë të reagojnë së bashku në rast krizash.
I pyetur për mundësinë e një takimi mes presidentit amerikan Donald Trump dhe liderëve serbë, Aleksandar Vuçiq dhe Milorad Dodik, Whitaker bëri të ditur se aktualisht nuk ekziston një plan konkret.
“Nëse një takim i tillë do të ndodhte, ai do të kishte për qëllim përparimin e paqes dhe stabilitetit – jo forcimin e pozitës politike të ndonjë lideri. Presidenti Trump nuk e bën këtë,” theksoi ai, duke e përshkruar presidentin amerikan si “një tregtar dhe paqebërës, i fokusuar në rezultate dhe krijimin e mundësive për progres”.
Whitaker përfundoi se çdo angazhim i ardhshëm diplomatik do të ketë në qendër interesat strategjike të SHBA-së dhe avancimin e paqes në rajon, duke e lënë të hapur mundësinë e zhvillimeve të reja, por pa dhënë sinjale konkrete për takime të afërta.