Prizreni – Qyteti i Kujtesës që Ruajti Rrënjët e Gonxhe Bojaxhiut, Shën Nënës Terezë

by Nexhat

Nga: Prof.Dr. Skender ASANI

Prizreni, ky qytet i lashtë që shquhet si kryeqendër e kulturës, historisë dhe shpirtit shqiptar, merr një domethënie të veçantë kur bëhet skenë e mbajtjes së Ditëve të Shën Nënë Terezës. Nuk është rastësi që ky manifestim zhvillohet pikërisht këtu, në Universitetin “Ukshin Hoti”, sepse kujtesa historike dhe dokumentet e kohës e lidhin trungun familjar të Bojaxhive me këtë qytet, duke i dhënë Prizrenit të drejtën e krenarisë dhe të amanetit. Përmes kësaj lidhjeje, kujtimi i Gonxhe Bojaxhiut, që më vonë u bë Shën Nënë Tereza, na rikthen në një realitet historik: rrënjët e saj të shenjta janë pjesë e trungut tonë të përbashkët kulturor dhe shpirtëror.

banner

Kujtimi i Nënës Terezë në Prizren është një rikthim te rrënjët, por edhe një hap përpara. Është kujtesë e historisë sonë, por njëkohësisht projektim i një të ardhmeje ku humanizmi, solidariteti dhe dashuria universale bëhen themel i një shoqërie më të drejtë. Në këtë kontekst, promovimi i tri librave të rinj kushtuar jetës dhe veprës së saj merr një vlerë të shumëfishtë kulturore, shpirtërore e kombëtare sepse ato janë një ftesë për reflektim të thellë mbi trashëgiminë që ajo na la.

Libri i parë, “Gonxhja e Shkupit në Kurorën e Botës”, sjell një këndvështrim historiko-identitar mbi figurën e saj. Në këtë libër Gonxhja vendoset në koordinatat e Shkupit, por edhe të trungut kulturor shqiptar, që nis nga Prizreni si vend i rrënjëve familjare dhe shtrihet deri në përmasat e botës. Ky botim dëshmon se Shën Nënë Tereza nuk u shkëput kurrë nga burimi i saj: ajo ishte bijë e një qyteti, e një kombi, por me një shpirt që i takonte mbarë njerëzimit. Përmes analizave dhe referimeve historike, libri na kujton se edhe qytetet e vogla mund të lindin figura të mëdha universale, dhe se krenaria kombëtare lidhet ngushtë me përgjegjësinë për ta ruajtur e promovuar këtë trashëgimi. Ky tekst është një homazh ndaj lidhjes së ngushtë midis rrënjëve kombëtare dhe misionit universal, duke na ftuar të reflektojmë mbi mënyrën se si një identitet lokal mund të bëhet pjesë e historisë botërore.

Libri i dytë, “Me bashkudhëtarët e Nënës Terezë – nga misioni në shenjtëri”, është një mozaik i gjallë kujtimesh dhe rrëfimesh që e sjellin pranë figurën e saj njerëzore. Përmes dëshmive të Dom Lush Gjergjit, motrës Ivana dhe Nasta Mihillit, ky libër nuk e paraqet Nënën vetëm si ikonë të shenjtërisë, por si një grua të përulur që jetoi me të varfërit dhe i dha kuptim dhimbjes duke e shndërruar atë në dashuri dhe shpresë. Këto rrëfime zbulojnë dimensionin e saj intim: një grua që dinte të dëgjonte, të përqafonte, të ndante dhimbjen, por edhe të jepte gëzim. Libri është i pasur me fragmente që e bëjnë lexuesin të ndjejë praninë e saj dhe të kuptojë se shenjtëria nuk është një realitet abstrakt, por është e mishëruar në gjeste të vogla, në përditshmëri dhe në sakrifica të vazhdueshme. Kështu, ky botim shndërrohet në një dëshmi të gjallë për të gjithë ata që duan të kuptojnë se si nga jeta e thjeshtë ndërtohet madhështia shpirtërore.

Libri i tretë, “Porositë e Shën Nënë Terezës për ne”, është një udhërrëfyes shpirtëror e moral që përmbledh urtësinë e saj të përjetshme. Në faqet e tij, lexuesi ndeshet me fjalë të thjeshta, por me peshë të madhe, që kalojnë përtej kohës dhe hapësirës. Ky libër nuk është thjesht një përmbledhje sentencash, por një ftesë për reflektim të thellë mbi jetën tonë, mbi marrëdhëniet tona me Zotin, me familjen, me kombin dhe me tjetrin. Porositë e saj janë të qarta: dashuria duhet të kthehet në themel të çdo veprimi, falja të bëhet forcë që shëron ndarjet, përulësia të na shërbejë si busull për të kapërcyer egoizmin. Ky botim ka vlerën e një manuali shpirtëror që na ndihmon të gjejmë udhën tonë në kohët e pasigurta të sotme.

Këto tri botime, të ndërthurura mes njëra tjetrës, krijojnë një mozaik të plotë të figurës së Nënës Terezë. Nga përmasat historiko identitare te intimiteti i kujtimeve dhe porositë shpirtërore, ato e sjellin Nënën si një të tërë: si bijë e një qyteti dhe e një kombi, si misionare e dashurisë universale dhe si udhërrëfyes shpirtëror i përjetshëm. Përmes tyre, kujtimi i saj shndërrohet në një thirrje për të gjithë ne që të ecim në gjurmët e saj, duke e kthyer dashurinë në veprim, faljen në forcë dhe përulësinë në virtyt jetësor.

Përfundimisht, mbajtja e Ditëve të Shën Nënë Terezës në Prizren nuk është vetëm një aktivitet kulturor e shpirtëror, por një amanet i gjallë. Ajo na fton të mos e shohim trashëgiminë e Nënës vetëm si përkujtimore në libra apo ngjarje, por si pjesë të përditshme të jetës sonë. Prizreni, duke e përqafuar këtë mision, bëhet jo vetëm kujdestar i kujtesës së saj familjare, por edhe pishtar i dritës dhe i dashurisë për mbarë kombin dhe më gjerë. Ky qytet, që ruan në themelet e tij rrënjët e Gonxhe Bojaxhiut, sot i jep një dimension të ri trashëgimisë së saj: nga kujtesë historike në frymëzim të përjetshëm për të ardhmen.

Prizren, 03.09.2025

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy