Kryeministri Albin Kurti ka rikthyer në fokus projektet infrastrukturore, duke përmendur një sërë rrugësh dhe autostradash që priten të ndërtohen. Deklaratat e tij kanë ngritur dilema nëse po sinjalizon një fushatë të re zgjedhore.
Në fjalën e tij në konventen e partisë Vetëvendosje, Kurti përmendi angazhimin për përfundimin e disa projekteve rrugore të nisura më herët: rrugën Prizren–Tetovë, autostradën Prishtinë–Gjilan me vazhdim në Dheun e Bardhë, si dhe autostradën Duhle–Shtime–Banullë. Ai po ashtu përmendi ndërtimin e rrugës së Dukagjinit, që lidh disa komuna nga Prizreni deri në Istog, si dhe projektet Deçan–Plavë dhe Pejë–Rozhajë.
Megjithatë, përkundër këtyre premtimeve për investime në infrastrukturë, qytetarët vazhdojnë të përballen me paga të ulëta, çmime të larta dhe standard jetese të rënduar. Kjo ka bërë që premtimet e përsëritura për rrugë dhe hekurudha të shihen më shumë si retorikë politike sesa si zgjidhje konkrete për problemet e përditshme.
Në këtë kontekst, rikthimi i temës së projekteve të mëdha publike ka ngjallur diskutime mbi mundësinë e zgjedhjeve të reja dhe mbi synimet e Kurtit në raport me elektoratin.