Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka komentuar vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ndërprerjen e dialogut strategjik me Kosovën, duke e cilësuar këtë hap shumë më të rëndë sesa sanksionet e Bashkimit Evropian.
“Mendoj se janë dy aspekte të këtij vendimi. I pari është simbolikisht i rëndë, sepse SHBA-ja ndërpret bashkëpunimin strategjik me qeverinë e Kosovës. I dyti lidhet me pasojat afatgjata në fushën e sigurisë, diplomacisë, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ekonomik. Për mendimin tim, ky vendim është shumë më i rëndë se sanksionet ekonomike dhe politike të vendosura nga BE-ja. Duhet të jesh ose shumë i mençur, ose shumë i papërgjegjshëm për të besuar se Kosova mund të ecë përpara pa SHBA-në,” ka deklaruar Mustafa për IndeksOnline.
Ai shtoi se është krejtësisht e papërgjegjshme të mendohet se Kosova mund të zhvillohet pa mbështetjen e SHBA-së.
Duke komentuar nëse ky është një paralajmërim serioz apo një masë e përkohshme, Mustafa u shpreh:
“Po shihet qartë se masat ndaj Kosovës nuk janë të përkohshme – këtë e tregon rasti i sanksioneve të BE-së. Aq më pak mund të jenë të përkohshme ato të Amerikës. Kur SHBA-ja e përmend një vend për të keq, është e vështirë të kalosh pa pasoja. Interesat dhe strategjitë për të cilat angazhohet SHBA-ja duhet të respektohen”.
Sa i përket ndikimit në raportet Kosovë–SHBA, ai paralajmëroi pasoja të rënda diplomatike.
“Do të ketë mungesë të përkrahjes në institucionet relevante ndërkombëtare, qoftë diplomatike apo financiare. Mund të rifillojnë çnjohjet, të cilat ishin ndalur falë marrëveshjes së Uashingtonit të arritur me kryeministrin Hoti. Në çdo tavolinë të dialogut do të jemi më pak të sigurt për atë që do të ndodhë”.
Ish-kryeministri kritikoi ashpër edhe qasjen e qeverisë aktuale, duke theksuar se një vendim i tillë do të shmangej vetëm përmes koordinimit të plotë me partnerët amerikanë.
“Qeveria duhet të bashkëpunojë dhe të bashkërendisë veprimet me SHBA-në. Nuk duhet t’i bëhet karshillëk vendit që të ka ndihmuar të krijosh shtetin. Nuk duhet të mburresh me ‘sovranitet’ ndaj atij që po ta mbron sovranitetin dhe integritetin territorial me ushtri dhe diplomaci. Natyrisht, përveç nëse ke ndonjë mision për të shkatërruar atë që është arritur deri më tani”.