Enver Hasani: “Kurti e ka bindje anti-amerikanizmin”

by engel

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka komentuar raportet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e ndërlidhur këtë temë me qëndrimet ideologjike të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Në një intervistë për “Betimi për Drejtësi”, Hasani tha se marrëdhëniet Kosovë–SHBA sot ndikohen nga dy faktorë: gjendja e përgjithshme e politikës ndërkombëtare dhe roli i Amerikës në të, si dhe profili psikologjik e ideologjik i kryeministrit Kurti.

banner

Sipas tij, Kurti është “anti-imperialist i ekstremit të majtë”, dhe ky pozicion lidhet drejtpërdrejt me bindjet e tij politike.

“E kam përcjellë prej kohësh Kurtin, e kam lexuar dhe e njoh nga afër. Zoti Kurti është anti-imperialist i ekstremit të majtë, mbi të gjitha me një bindje anti-amerikane. Ai dhe një rreth njerëzish të afërt i kanë kultivuar këto ide nga literatura që lexojnë dhe diskursi që zhvillojnë”, tha Hasani.

Megjithatë, sipas tij, Kurti i ka fshehur këto qëndrime për shkak të sentimentit pro-amerikan të shumicës së qytetarëve të Kosovës.
“Ky i takon një rryme të majtë, por këtë bindje e ka mbajtur të fshehur që nga ardhja në pushtet për të ruajtur votat. Politikisht kjo është e pranueshme, por ideologjia ka kufijtë e vet”, theksoi Hasani.

Rugova dhe Kurti, “nata me ditë”

Hasani bëri edhe një krahasim mes ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe kryeministrit në detyrë, duke e përshkruar dallimin mes tyre si “diametralisht të kundërt”.

“Rugova ishte intelektual i jashtëzakonshëm, i pakrahasueshëm me Kurtin. Veprat e tij reflektojnë një formim liberal-racional të frymëzuar nga doktrina e Revolucionit Francez, të cilën e kishte specializuar gjatë qëndrimit në Francë”, tha ai.

Në të kundërt, sipas Hasanit, Kurti ka formim të kufizuar në shkencat shoqërore.
“Dija e tij është sipërfaqësore, më shumë për të impresionuar të tjerët se sa e thelluar. Shpesh duket si dije ‘Wikipedike’, pa bazë sistemike”, u shpreh ai.

Kujtimi për senatorin Bob Dole

Duke kujtuar vitet e ’90-ta, Hasani foli edhe për rolin e senatorit amerikan Bob Dole, të cilin e quajti “Engjëlli Gabriel” për shqiptarët e Kosovës.

Ai tha se vizita e Dole në Kosovë solli një mesazh të qartë për Serbinë, por edhe për lidershipin e Kosovës në atë kohë.
“Senatori Dole dha sinjal se demokracia do të vinte në Kosovë, deshën apo s’deshën strukturat e Beogradit. Ai ishte mesazh i fuqishëm për të gjithë, mesazh që u përputh më vonë edhe me qëndrimet e diplomatëve kryesorë amerikanë”, kujtoi Hasani.

Në fund, Hasani theksoi se marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-të mbeten jetike, por se këto raporte ndërlidhen ngushtë si me dinamikën globale, ashtu edhe me orientimet ideologjike të udhëheqësve vendorë.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy