Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar një masë të re proteksioniste, duke vendosur tarifë 100% për të gjithë filmat e xhiruar jashtë Shteteve të Bashkuara.
Në një deklaratë të bërë publike, Trump akuzoi vendet e tjera se po “vjedhin” industrinë e filmit amerikan, duke e krahasuar këtë fenomen me “marrjen e karameleve nga një foshnjë”.
Sipas tij, industria amerikane e filmit, veçanërisht ajo në Kaliforni, është goditur rëndë nga zhvendosja e produksioneve jashtë vendit. Për këtë gjendje, ai fajësoi “dobësinë dhe paaftësinë” e guvernatorit të shtetit.
“Ky është një problem i gjatë dhe i pafund që ka minuar industrinë tonë të madhe të filmit,” u shpreh Trump, duke e cilësuar tarifën si një përgjigje të domosdoshme për të mbrojtur prodhimin vendor.
Presidenti e përmbylli fjalën e tij me sloganin e njohur: “Ta bëjmë Amerikën të madhe përsëri.”
